
Prokuroria kërkon 30 ditë paraburgim për katër zyrtarë

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për katër zyrtarë të Komunës së Gjakovës, të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Bëhet fjalë për: Arben Bakalli, drejtor i Urbanizmit, Elida Bejtullahu, udhëheqëse e sektorit urbanistik, Afërdita Lama, drejtoreshë për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë, Arianit Kupa, jurist.
Sipas njoftimit, gjatë vitit 2018 i pandehuri A.B., në cilësinë e personit zyrtar Drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Gjakovë, si dhe e pandehura E. B., në cilësinë e personit zyrtar Udhëheqëse e Sektorit Urbanistik në këtë drejtori, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare e me qëllim që vetit apo tjetrit t’i sjellin dobi pasurore, kanë lëshuar dhe nënshkruar pëlqimin në interes të palës A.L., për parcelimin e pjesshëm fizik të disa parcelave në pronësi shoqërore në rrugë publike dhe në pronësi të K. të B. I. në e Gjakovë (V.)
Të njëjtit kanë lëshuar dhe nënshkruar pëlqimin në interes të palëve M.Ll., dhe Sh.B., për parcelimin e pjesshëm fizik të parcelave në pronësi të K. të B. I., në e Gjakovë edhe pse të pandehurit kanë qenë në dijeni lidhur me pronarin juridik të kësaj palujtshmerie. Nga ky veprim palët M.Ll., dhe Sh.B., i kanë bartur pronat në pronësi të tyre në sipërfaqe prej 599 m2 dhe objektin me sipërfaqe prej 115 m2, me ç’rast me veprimet e tyre kanë cenuar dhe dëmtuar pasurin e K. të B. I. në Gjakovë.
Poashtu ekziston dyshimi i bazuar se gjatë vitit 2019 e pandehura A.L., ne cilësinë e personit zyrtar Drejtoreshë në Drejtorinë për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë në Komunën e Gjakovës, si dhe i pandehuri A.K., në cilësinë e juristit, me dashje kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare kanë nxjerrë dhe nënshkruar vendimin për aprovimin e regjistrimit të parcelave të reja kadastrale të formuara pas matjes duke dëmtuar persona të tjerë.
(Kosova Sot Online)