
Rusia godet me raketa një qendër stërvitore ushtarake të Ukrainës

Të paktën tre ushtarë janë vrarë dhe 18 të tjerë janë plagosur në një sulm me raketa nga Rusia ndaj një njësie stërvitore të ushtrisë ukrainase, njoftuan zyrtarët, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
“Pavarësisht masave të sigurisë, nuk ishte e mundur të shmangeshin plotësisht viktimat në radhët e personelit”, njoftuan Forcat e Armatosura të Ukrainës.
Ushtria ukrainase nuk bëri të ditur vendndodhjen e sulmit.
“Sot, më 29 korrik, armiku kreu një sulm me raketa në territorin e një njësie stërvitore të Forcave Tokësore të Forcave të Armatosura të Ukrainës”, thuhet në deklaratën e shërbimit të shtypit të Forcave Tokësore në Telegram.
Një komision i udhëhequr nga Shërbimi Ushtarak për Rregull dhe Paqe i Ushtrisë së Ukrainës do të hetojë incidentin dhe nëse përcakton se vdekjet dhe plagosjet janë shkaktuar nga “veprimet ose mosveprimet e oficerëve”, fajtorët do të mbajnë përgjegjësi, thuhet në deklaratë.
Në muajt e fundit, forcat ruse kanë shtuar sulmet ndaj qendrave stërvitore të forcave tokësore ukrainase.
Disa sulme të tilla ndodhën në qershor, përfshirë një më 22 qershor ku u vranë tre persona dhe u plagosën 14 të tjerë.
Një valë e re sulmesh me raketa dhe dronë nga Rusia gjatë natës mes 28 dhe 29 korrikut la më shumë se njezetë të vdekur dhe dhjetëra të plagosur në të gjithë Ukrainën.
Pak orë më parë, Presidenti amerikan Donald Trump i kishte dhënë Vladimir Putinit 10-12 ditë afat për të ndalur sulmet, përndryshe do të përballej me sanksione më të ashpra.
Më herët, Trump i kishte dhënë Rusisë pesëdhejtë ditë kohë për të arritur një marrëveshje paqeje me Ukrainën, përndryshe SHBA do të vendoste sanksione të ashpra sekondare ndaj vendeve që blejnë mallra ruse, si nafta.
Kremlini nuk ka komentuar drejtpërdrejt për afatin e ri, por Dmitry Medvedev, zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, tha më 29 korrik se Trump duhet të ndalë “lojën e ultimatumeve me Rusinë”.
Në një nga sulmet më vdekjeprurëse të muajve të fundit, Rusia goditi rajonin e Zaporizhja me bomba ajrore të drejtuara të tipit ‘FAB’, tha më 29 korrik Ivan Fedorov, kreu i administratës ushtarake të rajonit.
Ndërsa lufta hyn në vitin e saj të katërt, zyrtarët ukrainas dhe grupet e të drejtave të njeriut kanë kritikuar vazhdimisht Rusinë për sulmet ndaj objektivave civile, duke i klasifikuar ato si krime lufte.
Pavarësisht provave në rritje, Kremlini pretendon se forcat e tij nuk synojnë qëllimisht objektivat civile.
(Kosova Sot Online)