Kurti: Jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës

  • A.P /
  • 31 July 2025 - 09:00
Kurti: Jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Pas Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka reaguar në lidhje me vazhdimin e programit të MCC për Kosovën, nga ShBA, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në postimin e tij në Facebook, Kurti thekson se 'vazhdimi i Programit Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) për Kosovën nga administrata e Presidentit Donald Trump është jashtëzakonisht i rëndësishëm'.

“Vazhdimi i Programit Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) për Kosovën nga administrata e Presidentit Donald Trump është jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin tonë. Edhe më shumë të lumtur dhe krenarë na bën fakti që Republika jonë është një ndër shtetet e pakta për të cilat financimi i programeve të MCC-së do të vazhdojë.

Jemi thellësisht e përherë mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe angazhohemi çdo ditë për partneritet të fortë e të besueshëm”, shkruan kryeministri Kurti në Facebook.


(Kosova Sot Online)