Policia bën të ditur se për rastin në Lipjan janë intervistuar katër dëshmitarë

  • A.P /
  • 05 August 2025 - 09:44
Policia bën të ditur se për rastin në Lipjan janë intervistuar katër dëshmitarë

Një rast tronditës ka ndodhur ditën e djeshme në Lipjan, ku një trup i pajetë është gjetur i groposur, teksa dyshimet janë për vrasje të rëndë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Trupi i gjetur dyshohet se është i një burri që është raportuar i zhdukur qysh të dielën. Policia në raportin e sotëm 24 orësh ka thënë se viktima është i moshës rreth 50-60 vjeçare dhe ende nuk është identifikuar.

Po ashtu policia bën të ditur se për rastin janë intervistuar katër dëshmitarë.

“VRASJE E RËNDË

Fsh. Baicë, Lipjan. 04.08.2025-12:05. Në një arë është gjetur i varrosur një trup i pajetë, mashkull rreth moshës 50-60 vjeçare, trupi i cili sipas IML-së është i freskët. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe prokurori kujdestar bashku me njësinë e zhvarrimit e kanë nxjerr trupit e pajetë, momentalisht nuk dihet identiteti i tij. Në lidhje me rastin janë intervistuar katër dëshmitarët meshkuj kosovarë. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Familjarët e tij kishin deklaruar se viktima nuk është parë që nga ora 16:00, e ditës së diele.

Kushëriri i viktimës, Avni Bajraktari tha mbrëmë në Klan Kosova se viktima kishte çuar lopën për kullotë në ara, para se të zhdukej.

“Unë si fillim jam kanë në një lokal ku shkojmë çdo mëngjes për kafe, kam taku një kojshi dhe më tha e e gjetët Velin, tha jo Veli s’o. E kam thirr kushëririn tjetër, Besartin, i cili tha se u zhduk prej djeshit. Kanë thirrë dronin policia. Kemi dal krejt teposhtë, rend komplet. Unë isha me një vëlla temin dhe një kojshi tjetër, kur shkum pak si poshtë, në dalje prej kollomoqit, tha diçka paska shku qisajd. Dhe për qatë gjurmë jena shku dhe e gjetëm venin. Nonstop me ne kanë qenë njësite policore”, tha Avni Bajraktari. 


(Kosova Sot Online)