Osmani merr letër nga Donald Trump: Lidere e guximshme dhe mike e SHBA-së

  • A.P /
  • 06 August 2025 - 09:48
Osmani merr letër nga Donald Trump: Lidere e guximshme dhe mike e SHBA-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë një letër nga presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në letrën dërguar Osmanit, Trump e falenderon për përkushtimin ndaj miqësisë me SHBA-në dhe lidershipin e saj të guximshëm.

Sipas Presidencës, në letrën e tij, Presidenti Trump vlerëson vendimin e Kosovës për të pranuar shtetas nga vende të treta si një tregues i gatishmërisë për bashkëpunim me SHBA-në, duke theksuar se ky hap reflekton forcën dhe dhembshurinë e popullit kosovar.


Postimi i presidencës:

Presidentja Vjosa Osmani merr letër nga Presidenti Trump: E falënderon për lidershipin e guximshëm dhe e quan mike të vërtetë të Shteteve të Bashkuara

Sot, Presidentja Osmani ka marrë një letër nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, në të cilën ai e falënderon për përkushtimin dhe miqësinë ndaj Shteteve të Bashkuara, lidershipin e guximshëm dhe shpreh dëshirën për të thelluar bashkëpunimin në vitet që vijnë.

Në letër, Presidenti amerikan shkruan se vendimi për të pranuar shtetas nga shtete të tjera tregon gatishmërinë e fortë të Kosovës për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shtuar se lidershipi në këtë çështje tregon fuqinë dhe dhembshurinë e popullit të Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova ndajnë një lidhje të thellë, të bazuar në respektin e ndërsjellë, vlera të përbashkëta demokratike dhe një vizion për një të ardhme paqësore dhe prosperuese. Përkushtimi juaj për forcimin e kësaj lidhjeje nuk ka kaluar pa u vërejtur, dhe jam i bindur se së bashku do të vazhdojmë të avancojmë qëllimet tona të përbashkëta,” ka theksuar Presidenti Trump në letrën e tij.

Duke e falënderuar Presidenten për angazhimin e saj në forcimin e partneritetit me SHBA-të, Presidenti Trump gjithashtu shprehet: “Ju falënderoj sërish për lidershipin tuaj të guximshëm dhe për faktin që qëndroni si një mike e vërtetë e Shteteve të Bashkuara. Mezi pres të punojmë së bashku me ju në vitet që vijnë.”

Në fund të letrës, Presidenti Trump i dërgon Presidentes Osmani edhe urimet më të mira nga Zonja e Parë e SHBA-ve, Melania Trump.


(Kosova Sot Online)