Pajaziti: Kosova ka mbetur pa ‘zot shtëpie’

  • A.P /
  • 07 August 2025 - 10:02
Pajaziti: Kosova ka mbetur pa ‘zot shtëpie’

Zenun Pajaziti ka komentuar situatën politike të krijuar pas moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Pajaziti thotë se Kosova ka mbetur pa “zot shtëpie” teksa tha se presidentja e vendit bëri një veprim të paprecedentë me tërheqjen e kërkesës së saj nga Gjykata Kushtetuese

Ky është opinioni i plotë i tij:

Kosova është në një moment të rëndë institucional dhe politik. Edhe pse kemi një histori të lavdishme të rezistencës, të ndërtimit të shtetit dhe të përkushtimit për vlera demokratike, sot jemi të ngujuar në një stagnim të frikshëm. Kemi mbetur pa ‘zot shtëpie’, pa zë të përbashkët dhe, fatkeqësisht, pa miq të përkushtuar ndërkombëtarë që të ndërmjetësojnë në krizën tonë të brendshme.

Në vend të bashkëpunimit dhe maturisë shtetërore, po përballemi me arrogancë politike dhe me vendime të njëanshme që po thellojnë mosbesimin dhe po paralizojnë institucionet. Presidentja e vendit, në një veprim të paprecedentë, tërhoqi kërkesën nga Gjykata Kushtetuese që do të duhej të sqaronte një çështje të rëndësishme lidhur me dekretimin e mandatarit për formimin e qeverisë. Ky veprim, me gjithë arsyetimin e saj, e ka lënë sistemin me shumë ‘mjegull kushtetuese’, duke ia pamundësuar opinionit publik të kuptojë se kush i mbron normat e shtetit dhe cili është roli real i institucioneve të pavarura.
Kjo nuk është e vetmja shenjë e krizës. Qëndrimi arbitrar i Kryeministrit lidhur me themelimin e institucioneve të parapara me Kushtetutë është edhe me shqetësues. Refuzimi për të bashkepunuar me partneret si dhe  për të krijuar mekanizmat që garantojnë barazinë dhe funksionimin institucional, dëmton jo vetëm rendin e brendshëm, por edhe reputacionin e Kosovës në raport me partnerët tanë strategjikë.

Ky është momenti kur duhen ndërprerë kalkulimet personale dhe ambiciet e padrejta politike ndaj shtetit tonë. Institucionet nuk janë arena për lojëra pushteti, por shtylla që mbajnë mbi supe një shtet që ka paguar shumë për lirinë. Dalja nga kjo krizë kërkon më shumë se deklarata politike; kërkon maturim kombëtar, vetëpërmbajtje politike, dhe besim në drejtësi.

Drejtësia, në mënyrë të veçantë, ka mbetur shpesh e vetmuar – pa përkrahje të plotë politike dhe nën trysni të vazhdueshme. Gjykata Kushtetuese, që duhet të jetë garancia e fundit e funksionimit demokratik, është heshtur në disa momente kyçe. Ajo duhet të jetë aktive, e guximshme dhe e pavarur në misionin e saj, për të interpretuar Kushtetutën, për të ofruar qartësi juridike dhe për të vendosur drejtësi në kohë pasigurie.

Po ashtu, drejtësia duhet të jetë udhëheqëse në luftimin e krimit dhe abuzimit me pushtetin. Nëse institucionet e drejtësisë nuk marrin përsipër ta mbrojnë ligjin në mënyrë të barabartë, atëherë rrëshqitja drejt një sistemi të dëmtuar bëhet e pashmangshme. Asnjë reformë nuk ka kuptim pa një drejtësi që nuk frikësohet nga pushteti, dhe që është e barabartë për të gjithë.

Ka shembuj në botë që dëshmojnë se edhe vendet që kanë kaluar kriza të thella kanë ditur të gjejnë rrugëdalje përmes dialogut dhe pjekurisë. Në Spanjë, pas krizës së vitit 2017, institucionet qëndrore dhe gjyqësori vepruan me maturi dhe vendosmëri. Sot, ajo krizë është pjesërisht e tejkaluar dhe Spanja është kthyer në normalitet institucional. Ky mund te ishte një mësim i qartë edhe për ne: pa pjekuri politike dhe pa drejtësi funksionale, nuk ka stabilitet afatgjatë.

Kosova nuk e ka luksin të qëndrojë në vend. Rinia po largohet, qytetarët po humbin besimin, ndërsa institucionet po zbrazen nga përgjegjësia. Është koha për një kthesë serioze, per një kthesë politike, institucionale dhe morale. Integrimi në Bashkimin Evropian dhe partneriteti me NATO-n nuk mund të arrihen me stagnim, por me hapa të guximshëm drejt funksionimit të rendit demokratik dhe shtetit të së drejtës.

Historia jonë e lavdishme nuk duhet të na shërbejë si mburojë për dështimet e sotme, por si udhërrëfyes për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë dhe më të sigurt për të gjithë. E kemi borxh.

(Kosova Sot Online)