
Janjiq për pranimin e fajësisë së Igor Popoviqit: Dëmi është i madh

Zëvendësdrejtori i zyrës serbe për Kosovën, Igor Popoviq, këtë javë ka bërë marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Speciale të Kosovës. Këtë informacion e ka konfirmuar vetëm Prokuroria Speciale, si dhe avokati i tij, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Fakti që një zyrtar shtetëror ka pranuar fajin duke nënshkruar marrëveshje me prokurorinë kosovare, tashmë ka pasoja, konsideron drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike, Dushan Janjiq.
Një prej tyre është edhe ajo e ashtuquajtura pozitive, sipas këtij njohësi të çështjes së Kosovës.
“Sepse kjo do të ndihmojë në zgjimin e një pjese të publikut – të komunitetit serb në Kosovë dhe në Serbi për nivelin dhe integritetin e njerëzve që janë zyrtarë shtetërorë. Ky nivel është prej kohësh shumë i ulët”, ka thënë ai
Përveç integritetit dhe kapaciteteve profesionale të tyre, Janjiq thekson edhe problemin e mosnjohjes së mjaftueshme të politikës që ata përfaqësojnë.
Si problem të dytë – Janjiq sheh pasojat e mëtejshme – qëndron pikërisht në faktin se vetë procedura e nënshkrimit të marrëveshjes për pranimin e fajësisë nga një zyrtar shtetëror nga Beogradi me institucionet kosovare është në kundërshtim me narrativën aktuale të pushtetit.
Sipas tij, që nga viti 2016, kur Ana Bërnabiq ishte kryeministre e Serbisë, është futur “gjuhë e re” e zyrtarëve serbë sa i përket Kosovës, e cila “nuk përputhet me realitetin në terren”.
Përveç mosnjohjes së Kosovës, “standardi i ri” i autoriteteve serbe nënkupton që në Kosovë ekziston “e ashtuquajtura polici”, “e ashtuquajtura gjykatë”, “i ashtuquajturi shtet i Kosovës”, ndërkohë që tani një zyrtar i saj ka bërë marrëveshje, edhe atë për pranim faji, pikërisht me institucionin që pushteti nuk e njeh.
“Në një shtet të organizuar, një zyrtar i arrestuar, edhe nëse nuk mund të bëjë konsultime, duhet patjetër ta dijë se cila është politika zyrtare e pushtetit aktual në Serbi për këtë çështje”, ka shtuar ai, duke e vlerësuar rastin si “një goditje serioze për pushtetin”.
“Prandaj nga ky rast, pushteti duhet të mësojë të heqë dorë nga kjo gjuhë e re dhe të lejojë njerëzit të flasin ashtu siç e shohin situatën, ndërsa zyrtarët e vet – për çështje ideologjike dhe propagandistike, të jenë më mirë të trajnuar”, porositi ai.
Njëkohësisht, Janjiq ngre edhe çështjen e njohjes së Rezolutës 1244 të KS të OKB-së, në të cilën Beogradi zakonisht “mbështetet”.
“Kur një zyrtar shtetëror shkon në një territor, supozohet që ai e njeh këtë marrëveshje. Në këtë marrëveshje ndërkombëtare ekziston një dispozitë ku UÇK-ja trajtohet si një guerilë që duhet të çarmatoset, e jo si një organizatë terroriste. Përkufizimi i organizatës terroriste është pjesë e gjuhës së re të qeverisë serbe nga viti 2016, dhe është shtyrë përpara – në luftën për të mbetur në pushtet nga strukturat udhëheqëse si dëshmi “se po kryhet terrorizëm, gjenocid, etj.”, ndaj serbëve. Ky është motivim politik. E drejta ndërkombëtare publike e thotë ndryshe”, shpjegon Janjiqi.
“Vetë veprimi i zëvendësit të drejtorit të zyrës serbe për Kosovë, i cili merret me çështje kaq të rëndësishme shtetërore, përfshirë edhe përmirësimin e pozitës së komunitetit serb në Kosovë, është dëshmi se në fakt, ky shtet nuk e merr seriozisht këtë problem dhe që për këtë arsye zgjedh kuadro të tilla”, ka thënë Janjiqi.
Pasojën ai e sheh edhe në delegjitimimin e mëtejshëm të këtij pushteti para atyre të cilëve ai “betohet” se është duke punuar për pajtim dhe paqe, e këta janë përfaqësuesit ndërkombëtarë. Por ka edhe diçka tjetër:
“Pushteti dhe mbajtësit aktual të pushtetit në Serbi – që nuk janë e njëjta gjë me shtetin, dhe këtë do ta dallojnë të gjithë, nuk përfaqësojnë politikën e Serbisë që është e përcaktuar në kushtetutë, ligj, por edhe në të gjitha marrëveshjet e Brukselit të nënshkruara.”
Janjiqi ka shtuar se për bashkësinë ndërkombëtare, tashmë është e qartë se pushteti aktual është i shkëputur nga populli dhe se nuk është përfaqësues i interesave shtetërore.
(Kosova Sot Online)