
Një person ka vdekur si pasojë e plagëve të marra me thikë

Një person ka vdekur si pasojë e plagëve të marra me thikë, në një rast të ndodhur të dielën rreth orës 21:20. Policia ka konfirmuar se i dyshuari nuk është gjetur në fshatin Zhur, ndërsa është identifikuar dhe ndodhet në arrati, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Shaqir Bytyqi, zëdhënës në policinë rajonale të Prizrenit, tha se viktima ishte dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, por më pas ka vdekur.
Incidenti ka ndodhur në fshatin Zhur në Prizren, shtoi Bytyqi.
Konfirmimi i plotë i tij:
Më datë 10.08.2025, rreth orës 21:20, Policia e Kosovës ka pranuar informacion se një person me lëndime është dërguar në emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit.
Sipas mjekëve, viktima mashkull, ishte therur me thikë dhe ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai është dërguar për trajtim në QKUK – Prishtinë, ku më pas ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.
Patrullat policore janë nisur menjëherë në drejtim të fshatit Zhur për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit. Nga informacionet e mbledhura, i dyshuari është identifikuar dhe aktualisht ndodhet në arrati. Njësitë policore janë ende në terren dhe po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për kapjen e tij.
Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe po ndërmerren veprimet ligjore të mëtejme.
(Kosova Sot Online)