
Haradinaj: Pastrojeni uniformën e policisë së Kosovës nga fajdexhinjtë

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj ka reaguar pas vrasjes të trefishtë në qytetin e Gjilanit, dhe një vrasje tjetër në Prizren, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se ky incident duhet të shërbejë si alarm për shoqërinë dhe institucionet që të ndërmarrin masa të ashpra ligjore për të ndëshkuar dhe parandaluar krimet.
Haradinaj ka kërkuar pastrimin e uniformave të policisë nga individët e korruptuar dhe ka nënvizuar se dukuri të tilla janë të njohura dhe të përhapura në të gjitha komunat e Kosovës.
Postimi i tij:
Dita e 10 gushtit ishte një ditë tragjike për Kosovën. Vetëm brenda një dite, në vendin tonë ndodhën katër vrasje mizore.
Tre persona u ekzekutuan në mënyrë makabre në Gjilan nga individë që ndër vite ishin të njohur për vepra të ndryshme penale, ndërsa një i ri u therr me thikë për vdekje në Prizren.
Kjo datë duhet të jetë alarm për gjithë shoqërinë dhe për të gjitha institucionet tona, pa dallim, që të marrin masa të pamëshirshme ligjore, jo vetëm për t’i ndëshkuar, por edhe për t’i parandaluar këto krime.
Veproni sot, për të mos vajtuar nesër!
Pastrojeni uniformën e policisë nga fajdexhinjtë.
Nuk ka komunë pa dukuri të tilla, dhe shumica prej tyre dihen edhe nga publiku.
(Kosova Sot Online)