
Kapet kokainë në vlerë 300 mijë euro

Hetuesit e Njësisë Rajonale për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prizren, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Prizrenit, kanë realizuar një operacion policor që ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale lidhur me substanca narkotike, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
I dyshuari me inicialet H.K. (1994), shtetas i Republikës së Kosovës, është arrestuar në rrugën “William Walker” në Prizren. Arrestimi është bërë pas një serie veprimesh operative të autorizuara nga prokurori kompetent.
Sipas vlerësimeve, sasia e sekuestruar e kokainës mund të arrijë vlerën deri në 300 mijë euro në tregun ilegal.
Gjatë kontrolleve të realizuara në dy lokacione të ndryshme, në njërën prej tyre janë gjetur dhe sekuestruar këto dëshmi materiale:
Substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, me peshë totale prej 4 kg e 440 gram;
Dy peshore elektronike;
Para në vlerë prej 260 euro;
Pajisje për vakumim të qeseve plastike;
Motoçikletë e tipit PIAGGIO VESPA;
Telefon mobil i llojit iPhone 15 Pro Max;
Një skalper;
Sasi e konsiderueshme e qeseve plastike për paketim.
I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor, ku është intervistuar në prani të avokatit të caktuar sipas detyrës zyrtare. Me vendim të prokurorit të shtetit, ai është ndaluar për 48 orë.
Hetimet në lidhje me këtë rast po vazhdojnë nga Njësia e antidrogës në Prizren në koordinim me Prokurorinë Themelore.
Policia e Kosovës ka deklaruar se mbetet e përkushtuar në luftën kundër narkotikëve dhe ka ftuar qytetarët të raportojnë çdo informacion të dyshimtë.
(Kosova Sot Online)