Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje emërohet drejtor i ATK’së

  • A.P /
  • 13 August 2025 - 12:16
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje emërohet drejtor i ATK’së

Sot, Ministria e Financave ka njoftuar se Mentor Hyseni është zgjedhur drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës. Nga ministria janë shprehur ‘’besim plotë’’ se Hyseni do të vazhdojë sipas tyre ‘’punën e mirë që është bërë deri më tani’’, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Nga ministria është deklaruar edhe se ky proces i zgjedhjes së Hysenit drejtor i ATK’së është bërë në mënyre profesionale.

‘‘Z. Mentor Hyseni emërohet Drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton se pas përmbylljes së procedurës së rekrutimit dhe në përputhje me kërkesat dhe kriteret ligjore, është përzgjedhur dhe emëruar Drejtori i ri i Administratës Tatimore të Kosovës, z. Mentor Hyseni.  Procesi është zhvilluar në mënyrë transparente dhe profesionale, duke u siguruar që kandidati i përzgjedhur të plotësojë të gjitha kushtet e nevojshme për këtë pozitë me rëndësi të lartë.  MFPT ka besim të plotë që Z. Hyseni se do të vazhdojë dhe avancojë punën e mirë që është bërë deri më tani, në shërbim të një administrate moderne, transparente dhe të drejtë’’, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Megjithatë, Hyseni tashmë drejtor i ATK-së del të jetë anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit.

Kjo s’është pozita e parë që anëtari i VV-së ka arritur ta sigurojë gjatë mandatit të kësaj partie në pushtet.

I njëjti duket se gjatë këtij mandati ka ‘kërcyer’ nga njëra pozitë në tjetrën. Vetëm së fundi, ai ka qenë drejtor i Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Por kjo nuk është e vetmja pozitë që ai ka udhëhequr. Hyseni më herët ishte emëruar edhe në krye të bordit të Kompanisë Rajonale Ujësjellësi “Prishtina”. Gjë për të cilën kishte shkruar edhe vetë Rozeta Hajdari.

Ajo në postimin e saj e kishte pranuar se Hyseni ishte bërë anëtar i VV-së para se të merrte detyrën e tij në KRU Prishtina.

‘‘Dje në mbledhjen e Qeverisë kemi shkarkuar bordet ekzistuese e më pas kemi emëruar bordet e përkohshme për Postën e Kosovës, Hekurudhat e Kosovës – Infrakos dhe KRU “Prishtina”. Këto janë borde të përkohshme dhe emergjente të pranverës, të cilat nuk do t’i zë vjeshta aty. I kemi për ta ndalur gjakderdhjen financiare dhe rënien e lirë të ndërmarrjeve jetike për qytetarët. Mentor Hyseni e Artan Dërmaku njëmend janë anëtarësuar së voni në LVV por ata janë profesionistë të sprovuar të Kosovës e jo militantë partie politike. Janë njerëz që ju beson Qeveria dhe që nuk vjedhin. Bordi i përkohshëm bën punë ekipore dhe ka vendimmarrje kolektive me shumicë votash. Artan Dërmaku dhe Mentor Hyseni nuk kanë asnjë post në strukturat e LVV. Bordi i ri me mandat të plotë përzgjidhet përmes një procedure të hapur dhe transparente të konkurrimit jo më larg se gjashtë muaj prej tani’’, kishte shkruar ajo.

Përveç këtyre pozitave, Hyseni kishte qenë edhe kandidat i VV-së për deputet në zgjedhjet e 2019. 

(Kosova Sot Online)