Në prag të takimit Trump-Putin ankthi kaplon Kievin

  • A.P /
  • 15 August 2025 - 10:13
Në prag të takimit Trump-Putin ankthi kaplon Kievin

Derisa presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, përgatiten të takohen në Alaskë për një takim shumë të rëndësishëm për të biseduar për përfundimin e luftës gati katërvjeçare në Ukrainë, një ndjenjë pasigurie i ka kapluar kryeqytetet evropiane, veçanërisht Kievin, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Takimi i sotëm mes dy liderëve, i pari që nga kthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë në janar, mund të riformësojë jo vetëm kufijtë e ardhshëm të Ukrainës, por edhe sigurinë evropiane, pa i pyetur Kievin apo Brukselin.

Trump e ka bërë përfundimin e konfliktit më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore prioritet kryesor të politikës së jashtme amerikane.

Duke qenë i sigurt në aftësitë e tij për të bërë marrëveshje dhe marrëdhënien miqësore me Putinin, Trumpi beson se ky qëllim mund të arrihet duke filluar me takimin kokë më kokë në Alaskë, i caktuar para një jave.

Prej atëherë, zyrtarët dhe ekspertët perëndimorë kanë shprehur shqetësimin se Trump, i cili shmang procedurat tradicionale diplomatike në favor të marrëveshjeve të drejtpërdrejta, mund të mashtrohet nga Putini, i cili ka mbi një çerek shekulli përvojë në negociatat me liderët perëndimorë.

Kur ai u tha gazetarëve se do të diskutojë me Putinin mundësinë e shkëmbimeve të tokës midis Rusisë dhe Ukrainës, shkalla e ankthit u rrit për shkak të frikës se ai mund të njohë marrjen e tokës nga Kremlini, duke e kënaqur agresorin.

Njoftimi i papritur për takimin i vuri në lëvizje liderët ukrainas dhe evropianë për të siguruar takime me Trumpin. Derisa liderët evropianë shprehën një farë lehtësimi pas një bisede telefonike me Trumpin më 13 gusht, ekspertët thonë se çfarë do të pranojë lideri 79-vjeçar amerikan në Alaskë mbetet e paqartë.

“Vlen të theksohet se është e jashtëzakonshme që ka një shkallë kaq të lartë pasigurie për atë që do të dalë nga ky takim”, tha Andrea Kendall-Taylor, drejtoreshë e Programit të Sigurisë Transatlantike në Qendrën për Siguri të Re Amerikane (CNAS).

(Kosova Sot Online)