Putin niset drejt Alaskës për takim me Trumpin

  • A.P /
  • 15 August 2025 - 11:30
Putin niset drejt Alaskës për takim me Trumpin

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, u nis drejt Alaskës të premten për një takim ballë për ballë me presidentin amerikan, Donald Trump, dhe bisedime që synojnë gjetjen e një zgjidhjeje të mundshme për t’i dhënë fund luftës pothuajse katërvjeçare të Rusisë kundër Ukrainës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Takimi i sotëm – pjesë e të cilit nuk do të jenë ukrainasit – do të mbahet në një bazë ajrore pranë Anchorage, dhe po del të jetë vendimtar për ukrainasit e rraskapitur nga lufta, për synimet e Trumpit për të bërë paqe dhe për përpjekjet e Putinit për ta riformuar pozitën e Rusisë në skenën botërore.

Udhëheqësit evropianë, të cilët gjithashtu janë lënë jashtë bisedimeve, janë të shqetësuar se marrëveshja e mundshme nga ky takim mund ta lërë Ukrainën në pozitë më të dobët ose t’i minojnë aftësitë e Evropës për ta mbështetur Ukrainën dhe për t’u përballur me kërcënimet e Rusisë.

Për rusët, simbolika që Putini po takohet në tokën amerikane – madje në territor që dikur ishte nën kontrollin e Rusisë – është një fitore e vogël në vete. Mundësia e Putinit për të udhëtuar jashtë vendit është e kufizuar nga një fletarrestim për krime lufte i lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, dhe Perëndimi e ka shndërruar atë në njëri të padëshiruar për shkak të luftës së tij të paprovokuar kundër Kievit.

Për shumëkënd, bisedimet e drejtpërdrejta me Uashingtonin – duke e lënë Ukrainën jashtë bisedimeve për paqe – kujtojnë Konferencën e Jaltës të vitit 1945, ku Bashkimi Sovjetik, Shtetet e Bashkuara dhe Britania pothuajse ndanë mes tyre Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore.

Trump, i bindur në aftësitë e tij për të bërë marrëveshje, është gjithnjë e më i zhgënjyer nga pamundësia për t’i dhënë fund luftës së Rusisë, e cila sipas vlerësimeve perëndimore ka vrarë ose plagosur mbi 1 milion ushtarë rusë. Humbjet e Ukrainës gjithashtu janë qindra mijëra.

“Unë jam president dhe ai nuk do të tallet me mua”, tha Trump.

“Nëse është një takim i keq, do të mbyllet shumë shpejt, dhe nëse është një takim i mirë, ne do të arrijmë paqen në një të ardhme shumë të afërt”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë më 14 gusht.

Gjatë një takimi me zyrtarë të lartë të Kremlinit, Putini – i cili ka takuar zyrtarisht pesë presidentë të ndryshëm gjatë 25 vjetëve si figura kryesore politike e Rusisë – më 14 gusht shfaqi optimizëm për takimin dhe sugjeroi se një marrëveshje e re për kontrollin e armëve mund të jetë në proces.

Shtëpia e Bardhë po bën “përpjekje mjaft energjike dhe të sinqerta për të ndaluar armiqësitë” dhe për të “arritur marrëveshje që janë me interes për të gjitha palët e përfshira”, tha Putini në një video të postuar nga Kremlini.

Një numër gjithnjë e më i madh traktatesh dypalëshe për kontrollin e armëve bërthamore – që mbulojnë arsenalet më të mëdha në botë – janë shpërbërë për shkak të mosmarrëveshjeve mes Uashingtonit dhe Moskës. I fundit i madh, Neë START, pritet të skadojë javën e ardhshme.

(Kosova Sot Online)