Komuna e Prishtinës ndalon kthimin e autobusëve për Podujevë nga Xhamia e Llapit

  • A.P /
  • 18 August 2025 - 10:06
Komuna e Prishtinës ndalon kthimin e autobusëve për Podujevë nga Xhamia e Llapit

Komuna e Prishtinës bashkë me Policinë e Kosovës ka ndërmarrë veprimet për ndalimin e kthimit të autobusëve për Podujevë nga Xhamia e Llapit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Dje Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar se do të nisë zbatimin e marrëveshjes së arritur për qarkullimin e autobusëve ndërurbanë, përfshirë linjat që vijnë nga Podujeva.

Këto masa erdhën, sipas komunës, për shkak se disa operatorë nga Podujeva synojnë të anashkalojnë Stacionin e Autobusëve të Prishtinës dhe të ndalojnë te Xhamia e Llapit.

“Kjo marrëveshje nuk ka qenë njëanshme, por është arritur si rezultat i një procesi të gjerë shumëpalësh, ku kanë qenë të përfshira: Komuna e Prishtinës, Komuna e Podujevës, Ministria e Planifikimit të Mjedisit dhe Hapësinor, si dhe Shoqata e Operatorëve të Transportit. Raportimet e fundit që tregojnë se disa operatorë nga Podujeva synojnë të anashkalojnë Stacionin e Autobusëve të Prishtinës dhe të ndalojnë në Xhaminë e Llapit janë shqetësuese dhe përbëjnë shkelje të qartë të rregullave komunale dhe marrëveshjes së ndërsjellë”, tha kryeqyteti.

Në këtë njoftim u tha se veprime të tilla nuk do të lejohen.

“Komuna do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore dhe administrative të nevojshme për të siguruar që të gjithë autobusët ndërurbanë, pa përjashtim, të ndalojnë në Stacionin zyrtar të Autobusëve në Prishtinë për marrjen dhe lëshimin e udhëtarëve. Ndalimet e paautorizuara brenda qendrës së qytetit paraqesin rrezik për sigurinë në trafik, rendin publik dhe planifikimin urban të transportit. Po ashtu, rikujtojmë se qendra e Prishtinës nuk mund të akomodojë transport ndërurban, për shkak të dinamikave të zhvillimit të qytetit, rritjes së fluksit të mjeteve dhe nevojës për menaxhim të qëndrueshëm të hapësirës publike”.


(Kosova Sot Online)