
Parandalohen dy raste të kontrabandës, në njërin u gjetën 1500 kg speca

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka parandaluar dy raste të kontrabandës me mallra gjatë ditës së djeshme. Një automjet u kap në kufirin me Maqedoninë e Veriut, ndërsa një tjetër në kufirin me Serbinë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
“Me datën 17.08.2025 njësitet policore nga DRPK-Lindje SPMK–Muqivërcë, pas sigurimit të informatave operative rreth dyshimeve për kontrabandë, nga territori i Republikës së Serbisë në drejtim të Republikës së Kosovës, kanë ndërmarrë veprime taktike, me ç’rast njësitë policore kanë ndaluar tentativën për kontrabandë të automjetit të dyshuar me targa vendore në fshatin Lisock- Kamenicë. Gjatë kontrollit të automjetit është gjetur sasi e specave prej 1500 kg, për të cilat i dyshuari nuk posedonte dokumentacion përkatës”, tha policia në njoftim.
Policia tha se pas konsultimit me prokurorin kujdestar është iniciuar rasti, ndërsa malli i konfiskuar është dorëzuar në Doganën e Kosovës.
Ndërkaq, në rastin tjetër me datën 17.08.2025 Njësia e Taskforcës – Lindje, e përbërë nga Policia dhe Dogana e Kosovës, ka trajtuar informacionet se rreth zonës kufitare ndërmjet RMV–RKS një automjet i dyshuar me targa vendore po transportonte mall të kontrabanduar, ku njësitet e angazhuara policore kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe si rezultat automjeti i dyshuar është ndaluar.
“Gjatë kontrollit të automjetit pronë e të dyshuarit mashkull kosovar, është hasur sasi e mallrave si: tekstil, pajisje elektronike, veshmbathje sportive, bizhuteri etj., të cilat ishin transportuar në mënyrë të kundërligjshme nga RMV në drejtim të Kosovës dhe të cilat nuk kishin dokumentacion përkatës. Lidhur me rastin personi i dyshuar, së bashku me automjetin dhe mallrat janë shoqëruar në terminalin doganor përkatës, vlera e përgjithshme e të cilave vlerësohet mbi 2,000 (dy mijë) euro, të cilat janë sekuestruar dhe rasti është duke u trajtuar nga njësitet kompetente të Doganës së Kosovës”.
(Kosova Sot Online)