
Konstituimi i Kuvendit është parakusht themelor për funksionimin e institucioneve

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ndaj situatës së krijuar në Kuvendin e Kosovës, duke u bërë thirrje deputetëve që të veprojnë me përgjegjësi dhe të konstituojnë Kuvendin pa vonesa të mëtejshme, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Sipas IKD-së, pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese që ka sqaruar qartë procedurat për konstituimin, çdo vonesë e mëtejshme thellon krizën institucionale dhe cenon rëndë funksionimin demokratik të shtetit.
“Konstituimi i Kuvendit është parakusht themelor për funksionimin e institucioneve kushtetuese. Pa një Kuvend funksional, vendi po qeveriset nga një Qeveri në detyrë, e cila nuk i nënshtrohet mbikëqyrjes parlamentare”, theksohet në reagim.
IKD paralajmëron se mungesa e Kuvendit ka lënë shumë institucione të paralizuara, me borde jofunksionale dhe mandate të skaduara, përfshirë Avokatin e Popullit, Autoritetin e Konkurrencës, KPM-në, Gjykatën Kushtetuese dhe Fondin e Kursimeve Pensionale.
Gjithashtu, janë bllokuar edhe marrëveshje ndërkombëtare të rëndësishme, përfshirë Planin e Rritjes 2024-2027 në vlerë prej 882 milionë euro, dhe projektet me partnerë strategjikë si Banka Botërore, Gjermania dhe Franca.
“Përkundër faktit që përgjegjësia për konstituimin e Kuvendit është e të gjitha partive, barra kryesore bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje si partia e parë në zgjedhje”, thotë IKD, duke i bërë thirrje kësaj force politike që të propozojë një kandidat të pranueshëm ose të arrijë një marrëveshje politike për të dalë nga bllokada.
IKD gjithashtu i kërkon Kryesuesit të seancës, Avni Dehari, që të mos ndërpresë seancën pa u arritur konstituimi dhe të veprojë në përputhje me Kushtetutën. “Vetëm përmes një procesi të përgjegjshëm dhe dinamik mund të sigurohet respektimi i rendit kushtetues. Çdo vonesë e qëllimshme është në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, përfundon reagimi i IKD-së.
Reagimi i plotë:
IKD: Konstituimi i Kuvendit, obligim kushtetues për të kthyer stabilitetin dhe legjitimitetin institucional
Prishtinë, 22 gusht 2025 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) u bën thirrje deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që në emër të stabilitetit dhe legjitimitetit institucional të konstituojnë Kuvendin pa vonesë dhe t’i hapet rrugë formimit të Qeverisë.
Pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese i cili ka sqaruar qartë çështjet kyçe përkitazi me konstituimin e Kuvendit çdo vonesë e këtij procesi i shërben thellimit të krizës institucionale dhe cenon rëndë funksionimin demokratik të institucioneve jetike të shtetit. Andaj, në prag të seancës së radhës për konstituimin e Kuvendit, IKD bën thirrje që të lihen anash inatet dhe interesat partiake duke u dhënë prioritet interesave strategjike drejt promovimit të vlerave demokratike dhe sundimit të ligjit.
Konstituimi i Kuvendit është një parakusht thelbësor për funksionimin demokratik të institucioneve kushtetuese. Pa Kuvend funksional, deputetët nuk mund të ushtrojnë detyrën e tyre si përfaqësues të qytetarëve. Pa Kuvend funksional, Kosova është duke u qeverisur nga një Qeveri në detyrë, ndaj të cilës Kuvendi nuk mund të ushtrojë kontroll mbikqyrës parlamentar.
Mungesa e Kuvendit ka ndikuar që një numër i madh institucionesh të mbesin pa kuorum dhe shumë të tjera të jenë në prag të jofunksionalitetit për shkak të skadimit të mandateve. Kjo situatë prek institucione thelbësore si:
• Institucioni i Avokatit të Popullit,
• Autoriteti i Konkurrencës,
• Komisioni i Pavarur për Medie,
• Gjykata Kushtetuese (zgjedhja e dy anëtarëve),
• Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (zgjedhja e dy anëtarëve),
si dhe një varg bordesh publike që operojnë me kapacitete të reduktuara ose me mandate të skaduara.
Kjo paralizë institucionale e lë vendin dhe qytetarët pa mekanizmat e duhur për garantimin e të drejtave, duke cenuar sigurinë juridike dhe cilësinë e shërbimeve për qytetarët.
Tutje, moskonstituimi i Kuvendit ka lënë peng marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare përfshirë Planin e Rritjes 2024-2027 në vlerë prej 882 milionë euro, i cili përmban masa për zhvillim ekonomik, investime infrastrukturore dhe afrimin e Kosovës me standardet e BE-së. Vonesa në miratimin e këtij plani i kushton vendit humbjen e një mundësie historike për rritje të qëndrueshme dhe përmirësim të mirëqenies shoqërore.
E po ashtu, si pasojë e kësaj situate, peng kanë mbetur edhe marrëveshjet me partnerë strategjikë si Banka Botërore, Gjermania, Franca dhe shtete tjera të cilat duan të ndihmojnë shtetin e Kosovës. Vonesa në miratimin e tyre dëmton drejtpërdrejt zhvillimin ekonomik, projektet infrastrukturore, energjinë e gjelbër, arsimin dhe shëndetësinë, duke rrezikuar gjithashtu edhe besueshmërinë ndërkombëtare dhe perspektivën evropiane të Kosovës.
Partnerët ndërkombëtarë tashmë e kanë bërë të qartë se presin nga Kosova një Kuvend të konstituuar dhe një partner legjitim për të çuar përpara projektet e përbashkëta. Pa një Kuvend funksional, Kosova rrezikon humbjen e mbështetjes financiare dhe politike në një periudhë vendimtare për të ardhmen e saj evropiane.
Përtej gjithë kësaj, gjendja e përgjithshme e funksionimit të shtetit të Kosovës është në nivel edhe më shqetësues për faktin se një numër i madh i anëtarëve të Qeverisë mbajnë pozitat në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kjo përkundër vendimit të Gjykatës Supreme të 15 korrikut 2025, sipas së cilit aktet e nxjerra nga anëtarët e Qeverisë, që në kohën e nënshkrimit, kanë ushtruar njëkohësisht rolin e deputetit dhe të ministrit në detyrë, janë të kundërligjshme. Aktualisht disa deputetë vazhdojnë të ushtrojnë njëkohësisht edhe detyrën e ministrit/ kryeministrit në Qeverinë “Kurti 2”. Ky fenomen përbën shkelje të hapur të Kushtetutës dhe Ligjit, shkelje kjo tashmë e konstatuar edhe nga Gjykata Supreme.
IKD konsideron se Kosova ka nevojë për lidership dhe vizion politik që vendos interesin shtetëror mbi atë partiak. Konsensusi politik është çelësi për daljen nga kriza, ndërsa respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është i paalternativë dhe një vlerë që promovon qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit. Aktgjykimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese përcaktojnë qartë se konstituimi duhet të përfundojë brenda afatit 30-ditor, andaj çdo shmangie nga ky afat është antikushtetues.
Në këtë situatë, IKD nënvizon se përkundër faktit se përgjegjësia për konstituimin e Kuvendit është e të gjitha partive politike, barra kryesore bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje, si partia e renditur e para pas zgjedhjeve. Tashmë ky subjekt ka dy mundësi reale: ose të propozojë një kandidat për Kryetar/e Kuvendi që sipas deklarimeve të partive të tjera politike ka mbështetjen e tyre, ose të arrijë marrëveshje politike me një subjekt tjetër parlamentar. Çdo qasje tjetër çon vetëm në vonesa të panevojshme dhe bllokim institucional.
Në dritën e sqarimeve të dhëna nga aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, përgjegjësia e Kryesuesit të seancës, veçanërisht në këtë fazë kritike, merr një peshë të posaçme dhe një rëndësi të jashtëzakonshme për konstituimin e Kuvendit. Kryesuesi i seancës e ka detyrim që të shmanget nga çfarëdo veprimi apo praktike që do ta çonte atë në shkeljen e serishme të Kushtetutës. Ndërsa, do të duhej po ashtu që në përputhje me privilegjin që ka për kryesimin e seancës konstituive, si deputeti më i moshuar, ta ushtrojë funksionin e tij drejt konstituimit të Kuvendit, në të mirë të funksionalitetit të shtetit të Kosovës. Gjatë seancës së sotme, Kryesuesi i seancës nuk duhet që ta ndërpresë seancën deri në momentin e konstituimit të Kuvendit, duke kërkuar vazhdimisht propozimin e radhës nga partia e parë, deri në momentin kur kandidati/ja i/e propozuar merr shumicën e nevojshme.
Vetëm përmes një procesi të përgjegjshëm dhe dinamik mund të sigurohet konstituimi i Kuvendit dhe respektimi i rendit kushtetues. Ndërsa, kufizimi artificial me thirrjen e seancave çdo 48 orë dhe propozimi i kandidatëve pa perspektivë, vetëm sa e shtyjnë procesin në limite apo potencialisht edhe përtej afatit kushtetues.
Andaj, IKD kërkon nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Kryesuesi i seancës, z. Avni Dehari, të marrin përgjegjësinë e tyre institucionale dhe politike për të siguruar konstituimin e Kuvendit brenda afatit kushtetues, në mënyrë që vendi të dalë nga bllokada aktuale dhe të rifitojë funksionalitetin demokratik dhe institucional.
(Kosova Sot Online)