Moska shuan shpresat për takim të shpejtë Putin-Zelenski

  • A.P /
  • 23 August 2025 - 15:17
Moska shuan shpresat për takim të shpejtë Putin-Zelenski

Sipas Ministrit të Jashtëm rus Lavrov, një takim i shpejtë midis Putinit dhe Zelenskit është jorealist, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas Moskës kushtet e samitit dypalësh nuk janë përmbushur “Putin është gati të takohet me Zelenski pasi të jetë përgatitur një axhendë për samitin, dhe kjo axhendë është larg të qenit e plotë”, tha Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov për rrjetin televiziv amerikan NBC.

Lavrov tha tani se çështjet që duhet të zgjidhen para një takimi të tillë përfshijnë lëshimet territoriale dhe heqjen dorë nga anëtarësimi i Ukrainës në aleancën ushtarake perëndimore, NATO, raporton DW.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kishte bërë thirrje për një takim të tillë për t’i dhënë fund luftës agresionale të Rusisë në Ukrainë. Moska deri më tani kishte qenë e paqartë për këtë çështje. Por edhe Trump i ka shuar shpresat për një takim midis Presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelenski, dhe ka përmendur rishtazi mundësinë e sanksioneve. Ai do të marrë një vendim të rëndësishëm në lidhje me përpjekjet e tij për të sjellë paqe në Ukrainë brenda dy javësh, tha Trump në Shtëpinë e Bardhë. Mund të ketë sanksione masive kundër Moskës – ose ai “nuk do të bëjë asgjë”, theksoi Trump.

Më parë në takimin me krerët evropianë në Shtëpinë e Bardhë, Trump ishte shprehur, se “do të shohim nëse Putini dhe Zelensky do të punojnë së bashku”. “E dini, është pak si vaji dhe uthulla. Ata nuk shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin, për arsye që dihen.”

(Kosova Sot Online)