
SPAK konfirmon hetimet për 14 zyrtarë dhe ish-ministra

Struktura e Posaçme Antikorrupsion konfirmoi dje se aktualisht janë duke u hetuar 14 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të nivelit të lartë, mes tyre tre deputetë, një ish-deputet dhe një ish-ministër.
Në përgjigje të interesit të gazetarëve, SPAK bëri të ditur se hetimet përfshijnë vepra penale që lidhen me korrupsionin, shpërdorimin e detyrës dhe pastrimin e parave. Gjithashtu, kur është pyetur për mundësinë e caktimit të masave sigurimi ndaj ndonjë ministri, SPAK ka sqaruar se “një ish-ministër është nën hetim”.
Ndërkohë, në lidhje me deputetët e zgjedhur pas datës 11 maj, SPAK ka pohuar se asnjëri prej tyre nuk është regjistruar deri tani si i hetuar për vepra penale. Për shkak të sekretit hetimor, emrat dhe akuzat konkrete ndaj tyre nuk janë bërë publike.
Institucioni ka sqaruar gjithashtu se gjatë periudhës 2022–2024 janë dërguar letërporosi drejt autoriteteve të huaja për sigurimin e materialeve hetimore shtesë, veçanërisht nga aplikacione të enkriptuara si SKY ECC, “EncroChat” dhe ANOM, të përdorura nga rrjete kriminale për komunikime të fshehta. Sipas SPAK, ky bashkëpunim ndërkombëtar ka ndihmuar në zbardhjen e një sërë çështjesh të rënda penale në Shqipëri, Europë dhe më gjerë.
Këto të dhëna janë bërë publike në “regjistrin e kërkesave dhe përgjigjeve” për muajin korrik të publikuar së fundmi. Pyetja që i ishte drejtuar Strukturës së Posaçme Antikorrupsion ishte se cili është numri i zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë që aktualisht janë duke u hetuar. Dhe përgjigja është kjo: “Në total janë 14 zyrtarë dhe ish-zyrtarë, përfshirë 3 deputetë, 1 ish-deputet dhe 1 ish-ministër”.
Në vazhdim të kësaj, është dhe një tjetër pyetje që i drejtohet SPAK-ut: “Pak muaj më parë keni konfirmuar zyrtarisht se keni një ministër nën hetim? Cili është ministri dhe a po vlerësohet nga SPAK caktimi i një mase sigurimi ndaj tij/saj”? Dhe përgjigja është e shkurtër: “Një ish-ministër është nën hetim”. SPAK nuk ka zbuluar emra.
Ndërkohë një tjetër pyetje që i është drejtuar SPAK-ut është kjo: “Nga lista e deputetëve që kanë dalë nga zgjedhjet e 11 majit, a ka persona nën hetim? Kësaj pyetjeje SPAK i përgjigjet me këto fjalë: “Emrat e përfshirë në listat e dërguara, nuk rezultojnë të jenë regjistruar deri tani si persona në hetim në regjistrin e njoftimit të veprave penale, në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.
HETIMET PËR KRIMET ZGJEDHORE
Pyetje të tjera që i janë drejtuar SPAK-ut lidhen dhe me krimet zgjedhore. Lidhur me këtë çështje, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka konfirmuar se gjatë periudhës raportuese janë administruar 193 materiale kallëzuese që lidhen me dyshimet për krime zgjedhore. 43 prej tyre janë regjistruar si procedime penale, pra kanë kaluar në fazën e hetimit.
Nga 43 procedimet penale të regjistruar për krime zgjedhore: 22 janë iniciuar mbi bazën e referimeve nga Policia e Shtetit. 1 është referuar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve. 9 janë nisur kryesisht nga SPAK. 3 kanë ardhur si rezultat i kallëzimeve nga shtetas të ndryshëm. 3 janë referuar nga Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore. 4 janë bazuar në kallëzimet e subjekteve politike. 1 është ndarë nga një procedim tjetër penal.
Nga 43 procedime penale të regjistruara gjithsej rezulton se 39 janë në hetim. 1 procedim penal është dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim. 1 procedim penal është pezulluar. 1 procedim penal është dërguar për kompetencë në Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore. 1 procedim penal është bashkuar me një procedim tjetër penal.
Nga totali i procedimeve/hetimeve, 35 procedime janë regjistruar për veprën penale të nenit 328 (korrupsionit aktiv në zgjedhje). 4 procedime janë regjistruar për të dy nenet, respektivisht, sipas nenit 328 me nenin 328/b (korrupsioni aktiv/pasiv në zgjedhje). 1 procedim është regjistruar sipas nenit 328/a (përdorimi i funksionit publik për qëllime politike). 1 procedim është regjistruar për të dy nenet, respektivisht nenit 328/a (përdorimi i funksionit publik për qëllime politike dhe nenit 248 (shpërdorimi i detyrës). 1 procedim është regjistruar sipas nenit 329 (kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje). 1 procedim i ndarë është regjistruar për të dy nenet, respektivisht, sipas nenit 328 me nenin 328/b (korrupsioni aktiv/ pasiv në zgjedhje).
(Kosova Sot Online)