Gjermania ka nisur stërvitjen më të madhe ushtarake me partnerët e NATO-s

  • A.P /
  • 02 September 2025 - 08:07
Gjermania ka nisur stërvitjen më të madhe ushtarake me partnerët e NATO-s

Gjermania ka nisur stërvitjen më të madhe ushtarake me partnerët e NATO-s, në një kohë kur Rusia dhe Bjellorusia po përgatiten për manovrat e tyre të përbashkëta “Zapad”, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Me rreth 8,000 trupa të dislokuara dhe operacione të koordinuara në katër shtete, Berlini dërgon një mesazh të qartë: është i gatshëm të përballet me çdo skenar dhe nuk do të lejojë që siguria në kufijtë lindorë të Evropës të vihet në pikëpyetje.

“Quadriga 2025”, është stërvitja më të madhe ushtarake me aleatët e NATO-s, ku do të marrin pjesë në manovra që shtrihen në Gjermani, Lituani, Finlandë dhe Detin Baltik.

Nga ana tjetër, Rusia pritet të angazhojë mbi 40,000 trupa në Zapad, përfshirë 13,000 në Bjellorusi, afër kufirit me Lituaninë.

Shefi i Forcave të Armatosura Gjermane, Carsten Breuer, theksoi se qëllimi nuk është përshkallëzimi, por parandalimi: “Putini po na vëzhgon dhe planet e tij shkojnë përtej Ukrainës. Ne duhet të jemi të përgatitur për skenarin më të keq”.

Breuer shtoi se nuk ka shenja se Zapad lidhet me një sulm të mundshëm, por paralajmëroi se kërcënimi mbetet i vazhdueshëm, si në aspektin konvencional, ashtu edhe hibrid.

Stërvitja e NATO-s përfshin operacione mbrojtëse në rajonin e Balltikut, duke përfshirë trajnime për pastrimin e minave, mbrojtjen nga dronët dhe skenarë shumëdimensionale krize.

Në prag të stërvitjes së përbashkët ushtarake ruso-bjelloruse “Zapad”, Lituania ka vendosur të mbyllë përkohësisht një pjesë të hapësirës së saj ajrore afër kufirit me Bjellorusinë.

Masa synon të parandalojë çdo shkelje të mundshme të zonës së ndalim-fluturimit nga avionë apo dronë, njoftoi qeveria në Vilnius.

Agjencitë e inteligjencës lituaneze parashikojnë që “Zapad” do të shtrihet në një zonë të gjerë, nga Arktiku deri në Kaliningrad dhe Bjellorusi.

“Problemet janë të mundshme”, paralajmëroi kreu i kundërzbulimit ushtarak lituanez, Mindaugas Mazonas, për transmetuesin publik LRT.

Sipas tij, incidentet mund të përfshijnë shkelje të hapësirës ajrore ose edhe sulme kibernetike, që janë të zakonshme gjatë stërvitjeve të tilla.


(Kosova Sot Online)