
Pesë persona humbin jetën në një aksident të rëndë trafiku

Pesë persona kanë humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku që ndodhi të hënën mbrëma në Luksemburg, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Sipas policisë, aksidenti ndodhi rreth orës 18:10 në rrugën N15, mes Feulen dhe Heiderscheid, ku një veturë dhe një furgon u përplasën kokë më kokë. Pas përplasjes, të dy automjetet morën flakë dhe u shkatërruan plotësisht. Autoritetet konfirmuan se të pesë pasagjerët e mjeteve humbën jetën në vendngjarje.
Shkaqet e sakta të aksidentit ende po hetohen, ndërsa dihet se në vendin e ngjarjes kufiri i shpejtësisë është 50 km/h.
Një numër i madh ekipesh emergjence u mobilizuan, përfshirë disa autoambulanca, zjarrfikës nga zonat përreth, një helikopter shpëtimi ajror dhe një mjek urgjence. Njësia për mbështetje psikologjike e Shërbimit Kombëtar të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit (CGDIS) ishte gjithashtu e pranishme.
Një zëdhënës i CGDIS konfirmoi të martën se në aksident nuk ishin të përfshirë persona të tjerë.
Autoritetet e Diekirch kanë nisur procesin e identifikimit të viktimave, por ende nuk janë bërë publike të dhëna mbi moshën, gjininë apo identitetin e tyre.
(Kosova Sot Online)