
Rritet numri i viktimave nga tërmeti në Afganistan

Qindra trupa të pajetë janë nxjerrë nga shtëpitë e rrënuara si pasojë e tërmetit të fuqishëm në Afganistan javën e kaluar, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vdekurve në mbi 2.200, tha të enjten një zëdhënës i Qeverisë talibane, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Tërmeti 6.0 ballësh goditi disa provinca malore në lindje të vendit të dielën në mbrëmje, duke rrafshuar fshatra dhe duke zënë njerëz nën rrënoja.
Shumica e viktimave janë regjistruar në Kunar, ku shumë banorë jetojnë në lugina të pjerrëta lumenjsh, të ndara nga male të larta.
Zëdhënësi i talibanëve, Hamdullah Fitrat, i cili e bëri të ditur shifrën e përditësuar prej 2.205 viktimash, tha se përpjekjet për kërkim dhe shpëtim po vazhdojnë.
“Janë ngritur shatorre për njerëzit dhe po shpërndahen ndihma të para dhe furnizime emergjente”, tha ai.
Tereni i vështirë po ua bën më të zorshme punën ekipeve për shpëtim. Autoritetet talibane kanë përdorur helikopterë dhe kanë dërguar ushtarë nga ajri për t’i ndihmuar të mbijetuarit. Punonjësit e ndihmës thonë se detyrohen të ecin me orë të tëra për të arritur në fshatrat e bllokuara nga rrëshqitjet e dheut dhe shembja e shkëmbinjve.
Shkurtimet në financim po ndikojnë gjithashtu në reagimin ndaj krizës.
Këshilli Norvegjez për Refugjatët tha se ka më pak se 450 punonjës në Afganistan, ndërsa në vitin 2023 – kur ndodhi tërmeti i fundit i madh në vend – kishte 1.100. Këshilli ka vetëm një magazinë në dispozicion dhe asnjë rezervë emergjente.
“Do të duhet të blejmë artikuj sapo të sigurojmë fonde, por kjo mund të marrë javë të tëra dhe njerëzit kanë nevojë tani”, tha Maisam Shafiey, këshilltar për komunikim i këshillit në Afganistan.
“Ne kemi vetëm 100.000 dollarë për të mbështetur përpjekjet e reagimit emergjent. Kjo lë një boshllëk të menjëhershëm prej 1.9 milion dollarësh”, shtoi ai.
Organizatat humanitare e kanë quajtur këtë fatkeqësi krizë brenda krizës.
Afganistani tashmë po përballej me pasojat e ndryshimeve klimatike, veçanërisht thatësirën, me ekonomi të dobët dhe kthimin e rreth 2 milionë afganëve nga vendet fqinje.
(Kosova Sot Online)