
Melania Trump: Duhet t’i përgatisim fëmijët për të ardhmen

Zonja e parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Melania Trump, bëri një paraqitje të rrallë publike të enjten në Shtëpinë e Bardhë, ku theksoi nevojën urgjente për të përgatitur fëmijët amerikanë për epokën e inteligjencës artificiale, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
“Robotët janë këtu. E ardhmja jonë nuk është më shkencë fantashkencë. Si udhëheqës dhe prindër, duhet ta menaxhojmë rritjen e inteligjencës artificiale me përgjegjësi. Në këtë stad fillestar, është detyrë jona ta trajtojmë inteligjencën artificiale siç do të trajtonim fëmijët tanë, duke e fuqizuar, por me kujdes dhe mbikëqyrje”.
Ky është një nga pak rastet ku Melania është shfaqur publikisht gjatë mandatit të dytë të bashkëshortit të saj, Donald Trump. Në moshën 55-vjeçare, ish-modelja nga Sllovenia shpesh është përshkruar si një “enigmë”, për shkak të angazhimit më të kufizuar publik krahasuar me pararendëset e saj. Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2024, mungesa e saj në aktivitete politike u pasqyrua gjerësisht nga mediat me tituj të tipit “Ku është Melania”?
Megjithatë, që prej janarit të këtij viti, Zonja e parë ka adoptuar një qasje më aktive dhe më të fokusuar, duke i dhënë rol të ri postit të saj. Ashtu si gjatë nismës “Be Best” në mandatin e parë, Melania po e orienton vëmendjen te mirëqenia e fëmijëve – por këtë herë duke e lidhur me çështje të teknologjisë, biznesit dhe ligjvënies.
Një ndër arritjet më të rëndësishme të saj është ligji “Take It Down”, që kriminalizon publikimin e imazheve intime, qofshin ato reale apo të gjeneruara nga inteligjenca artificiale, pa pëlqimin e personit. Për herë të parë në historinë amerikane, një Zonjë e parë nënshkroi ligjin përkrah presidentit, duke treguar ndikimin e saj të drejtpërdrejtë në procesin legjislativ.
Ndikimi i saj nuk është kufizuar vetëm brenda SHBA-së. Në gusht, Melania i dërgoi një letër presidentit rus Vladimir Putin, duke i bërë thirrje për të mbrojtur fëmijët dhe gjeneratat e ardhshme nga pasojat e konflikteve. Pas saj, ajo mori letra falënderuese nga Zonjës së parë të Ukrainës, Olena Zelenska, dhe nga Zonja e parë e Turqisë, Emine Erdogan. Ky veprim u krahasua me rastet historike kur Nancy Reagan dhe zonjat e para të tjera kanë luajtur rol diplomatik në marrëdhëniet ndërkombëtare.
(Kosova Sot Online)