
Serbia po bashkëpunon gjerësisht me Kinën në sektorin e mbrojtjes

“Faktor pengues ndaj çdo agresori të mundshëm nga fqinjësia”.Kështu e justifikoi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nevojën për blerje të reja armësh që shqyrtoi, këtë javë, gjatë pjesëmarrjes në një paradë ushtarake në Pekin, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Ai u takua atje me presidentin e Kinës, Xi Jinping, dhe tha se ka shfrytëzuar pjesëmarrjen e tij në paradë për të parë se “çfarë do të ishte interesante të blihej për nevojat e Ushtrisë së Serbisë”.
Serbia bashkëpunon gjerësisht me Kinën në sektorin e mbrojtjes, dhe blerjet e saj të armëve nga ky vend kanë shkaktuar kritika nga Bashkimi Evropian – ku Serbia mëton të anëtarësohet – dhe nga Shtetet e Bashkuara.
Sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI), Serbia – edhe pse e pozicionuar si ushtarakisht neutrale – ka bërë shpenzimet më të mëdha ushtarake në rajonin e Ballkanit Perëndimor gjatë pesë vjetëve të fundit, duke blerë armatim si nga Perëndimi, ashtu edhe nga Lindja.
Vetëm në vitin 2024, Serbia ndau 2.2 miliardë dollarë për ushtrinë – rreth pesë herë më shumë se Shqipëria, anëtare e NATO-s dhe vendi i dytë në rajon për shpenzime ushtarake.
Kjo shumë përbën 2.6% të Bruto Produktit Vendor të Serbisë.
(Kosova Sot Online)