Lokacioni i dyshuar për varrezë masive është përdorur si deponi

  • A.P /
  • 10 September 2025 - 13:00
Lokacioni i dyshuar për varrezë masive është përdorur si deponi

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, ka thënë se lokacioni në Kozhlje afër Novi Pazarit, në të cilin dyshohet për varr masiv, deri tash është përdorur si deponi mbeturinash, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Lokacioni, sipas Hotit, është një prej lokacioneve që janë diskutuar disa herë nga Grupi Punues për të zhdukurit nga lufta, krahas Batajnicës e Kozharevës për të cilat Kosova ka kërkuar vazhdimisht të nisin hulumtimet.

E në këtë lokacion sot është deleguar një ekip nga Kosova. Aty do të bëhet vlerësimi e më pas do të shihet mundësia për nisjen e punimeve.

“Ky lokacion ka nisur të vlerësohet që nga viti i kaluar, por më pas është shtyrë nga pala serbe. Vetëm pas presionit të vazhdueshëm, edhe ndërkombëtar, Serbia ka filluar procesin e vlerësimit. Duhet theksuar se kjo po ndodh pas një zjarri që për gati dy muaj ka kapluar atë zonë. Nga Kosova sot është deleguar një ekip i përbërë nga z. Kushtrim Gara, z. Ditor Haliti dhe z. Valon Hyseni. Aktualisht në terren janë të pranishëm edhe ICRC dhe EULEX, krahas palës serbe. Sot po kryhet vlerësimi dhe më pas do të shihet mundësia për fillimin e punimeve”, ka shkruar Hoti në Facebook.

(Kosova Sot Online)