Peci: Kemi hyrë në qorrsokak pasi LDK i ka ikur përgjegjësisë

  • a.p /
  • 11 September 2025 - 08:28
Peci: Kemi hyrë në qorrsokak pasi LDK i ka ikur përgjegjësisë

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci ka thënë se Kosova ka hyrë në një qorrsokak sa i përket krijimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, teksa sipas tij ‘kryesisht udhërrëfyes janë inatet’, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

“Ne duhet ta kuptojmë ABC e demokracisë. Një individ që është kryetar partie apo koalicioni që i ka fituar 42%, e që në rast se e përkthejmë në nivel të shumicës shqiptare është afër 50%, nuk mund të mënjanohet. Kjo bllokada që nuk duam bashkëpunim, nuk duam partneritet dhe njëkohësisht edhe refuzimi me marrë përgjegjësi nuk shkon. Është e qartë që LDK i ka ik përgjegjësisë, nuk po e akuzoj PDK-në sepse s’kanë pasur ofertë. Nuk mund edhe t’i ikësh përgjegjësisë edhe të pretendosh se po bën bllokadë institucionale”, ka thënë Peci.

Ai ka thënë se emri i Dimal Bashës me renditje të propozimit të emrave ka shkuar mbi bazën e kompromiseve që ka bërë koalicioni fitues, duke hequr dorë emër pas emri për shkak të mos votimit.

“Erdhi Dimal Basha, ka mundur të jetë kushdo tjetër. E kemi diskutuar emrin e tij dhe e kemi pasur opsion. Përderisa ne nuk e kemi pasur qasjen rigjile, në vazhdimësi presioni i medieve ka qenë që të ketë lëvizje nga njëra anë. Ne kemi bërë pesë herë lëvizje në aspektin e emrave dhe kemi bërë përpjekje për të gjetur zgjidhje. Unë mendoj që qytetari në politikë s’ta vlerëson veç rezultatin, por edhe përpjekjen. Është diskutuar gjerë e gjatë Dimal Basha, ka pasur pajtueshmëri dhe është thënë se të shkojmë me emrin e një deputeti aktiv që meqenëse opozita nuk po na pëlqejnë asnjërin nga ne, posaçërisht ne që jemi ministra, atëherë kemi thënë shkojmë me Bashën”, ka thënë Peci.

Në pyetjen se çfarë do të ndodhë pas 30 shtatorit, Peci ka thënë se kjo varet nga interpretimet, vlerësimet dhe sugjerimet që do t’i japë Gjykata Kushtetuese.

“Prej krejt historisë dhe kronologjisë të temave që i janë adresuar Gjykatës Kushtetuese, mendoj se kjo është ndër temat më të rënda. Ata duhet ta ndiejnë barrën dhe peshën e përgjegjësisë. Unë po, mendoj se Kosova është shtet demokratik, Kosova ka institucione, ka gjykata, sikurse e ka Gjykatën Kushtetuese, por kurrë nuk duhet të harrohet që ky vend në fund e ka edhe popull”, ka theksuar Peci.

(Kosova Sot Online)