Osmani: Nuk mund ta rregulloj sektorin e arsimit nga pozita e Presidentes

  • A.P /
  • 11 September 2025 - 10:45
Osmani: Nuk mund ta rregulloj sektorin e arsimit nga pozita e Presidentes

Presidentja Vjosa Osmani tha se dy vajzat e saj është detyruar t’i çojë në shkollë private për shkak të “sfidave të sigurisë”, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ajo tha nga zyra e saj në Presidencë se vajzat e saj u përballën edhe me sfida të tjera, si problemet me kanalizimin në shkollë, papastërinë e saj, ndërprerjen e rrymës e ngrohjes e bllokimin e toaleteve.

Osmani u pyet sot se pse i adresoi vetëm dje këto probleme, pas rastit të ndalimit të një kameramani nga mbrojtja e afërt e saj, në afërsi të një shkolle private ku vajzat e saj ndjekin mësimin.

Ajo tha se nuk mund të bëjë më shumë për gjendjen e arsimit, “përkundër dëshirës së madhe që e kam pasur për të pasur kompetenca”.

Presidentja tha se ky është “një sektor që përballet me sfida të panumërta, ndoshta me sfidat më të mëdha”.

“Disa prej tyre janë adresuar, mirëpo shumë prej tyre jo”, tha ajo. “Shkollat publike kanë mbetur pa pastrim fare”, tha Osmani.

“Vajzat e mia kanë qenë shumë afër. Klasa ka qenë shumë afër”, tha ajo.

Osmani tha se ka ofruar mbështetje dhe në vizitat e saj jashtë vendit ka kërkuar mbështetje në dy sektorë, në shëndetësi dhe arsim.

“Mirëpo shumë gjëra nuk varen nga unë”, tha ajo.

Presidentja tha se ka dhënë sugjerime dhe këshilla për përmirësimin e gjendjes.

“Do të doja të ishte ndryshe, por nuk është ndryshe. Nuk mund ta rregulloj sektorin e arsimit nga pozita e Presidentes”.

Ajo tha se shqetësimet për problemet në shkollat publike “kanë qenë për vite me radhë” dhe “kanë qenë publike”.

“Asgjë të re nuk kam thënë”, tha Osmani.

Presidentja tha se vajzat e saj do të donte t’i çonte në shkollë publike “sikur të mos përballeshin me sfida të sigurisë”.

(Kosova Sot Online)