
Ish-presidenti brazilian dënohet me mbi 27 vjet burgim

Ish-presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, është dënuar me 27 vjet e tre muaj burgim, pasi u shpall fajtor për komplot të një puçi ushtarak, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Një panel prej pesë gjykatësish të Gjykatës Supreme e shqiptuan dënimin vetëm disa orë pasi e shpallën fajtor ish-presidentin, raporton televizioni BBC.
Gjykatësit vlerësuan se Bolsonaroja është fajtor për drejtimin e një komploti me qëllim të mbajtjes së tij në pushtet pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2022 në garë me rivalin majtist, tashmë presidentin Luiz Inacio Lula da Silva.
Katër prej gjykatësve e shpallën atë fajtorë, ndërsa vetëm njëri votoi për ta liruar Bolsonaron nga akuzat. Avokatët e ish-presidentit e kanë quajtur dënimin “të tepërt në mënyrë absurde” dhe thanë se do t’i paraqisnin “apelet e duhura”.
Gjykata Supreme gjithashtu ia ndaloi Bolsonaros pjesëmarrjen në gara për poste publike deri në vitin 2033.
Bolsonaroja, ndaj të cilit ishte marrë masa e arrestit shtëpiak, pasi ishte vlerësuar se kishte rrezik që të largohej nga vendi, nuk mori pjesë fizikisht në pjesën përfundimtare të gjykimit.
Sidoqoftë, ish-presidenti në të kaluarën ka thënë se qëllimi i gjyqit kundër tij është që t’ia parandalojë pjesëmarrjen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2026, edhe pse atij tashmë i ishte ndaluar gara për poste publike për shkak të disa akuzave të tjera. Bolsonaroja e ka quajtur “gjueti shtrigash” procesin gjyqësor ndaj tij.
Fjalët e tij janë mbështetur nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili u ka vendosur taksë prej 50 për qind mallrave braziliane, duke i cilësuar si hakmarrje për atë që e sheh si përndjekje penale ndaj ish-homologut.
(Kosova Sot Online)