
Dogana e Kosovës ndalon municion në pikën kufitare

Dogana e Kosovës ka njoftuar sot se gjatë një kontrolli rutinë në pikën kufitare të Hanit të Elezit, zyrtarët doganorë kanë zbuluar 50 fishekë të kalibrit 9 milimetra, të fshehur në bagazhin e një veture, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Sipas njoftimit zyrtar, udhëtarët kishin deklaruar se nuk posedonin mallra për deklarim, por pas një kontrolli më të thelluar, në hapësirën e bagazhit është gjetur një pako e fshehur që përmbante municionin.
“Fishekët janë sekuestruar, ndërsa rasti i është dorëzuar Policisë së Kosovës për procedura të mëtejme ligjore. Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin e kontrabandës dhe në ruajtjen e sigurisë së qytetarëve të vendit”, thuhet tutje në njoftim.
(Kosova Sot Online)