
Sarrazin: Vuçiq tashmë ka zgjedhur anën drejt Rusisë

Projekti i diskutueshëm për nxjerrjen e litiumit në Serbi, i njohur si “Jadar”, nuk do të realizohet – kështu deklaron eksperti gjerman për politikë të jashtme, Milan Nič, nga Instituti Gjerman për Politikë të Jashtme (DGAP) në Berlin, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Ai për Deutsche Welle u shpreh se ka informacione të besueshme që dëshmojnë përfundimisht se nga ky projekt nuk do të ketë asgjë.
“Projekti Jadar nuk do të fillojë dhe kjo është pasojë e drejtpërdrejtë, pra një lloj dëmi kolateral nga protestat,” tha Nič.
Sipas tij, korporata ndërkombëtare Rio Tinto, që qëndronte pas projektit, tashmë është tërhequr nga planet për nxjerrjen e litiumit në Serbi, duke u përballur me pasiguri dhe mungesë parashikueshmërie.
“Për biznesin është thelbësore që gjërat të jenë të parashikueshme. Ata (Rio Tinto) kishin afate, plane, kishin investuar diçka – por nuk u realizua asgjë. Tani janë jashtë planeve, dhe ai litium ende nuk është nxjerrë. Ky nuk është projekti i vetëm në Evropë – ka edhe të tjerë që janë më mirë të përgatitur dhe më të parashikueshëm,” shtoi ai.
Këto deklarata u bënë gjatë një panel-diskutimi të mbajtur në ambientet e DGAP më 11 shtator, ku u diskutua edhe për gjendjen aktuale politike në Serbi. Në të njëjtin vend, njëmbëdhjetë vjet më parë, kryeministri i atëhershëm Aleksandar Vuçiq kishte shpallur ambicien për ta afruar Serbinë me Bashkimin Evropian. Sot, sipas panelistëve, ndodh e kundërta – Serbia po largohet nga BE-ja.
Milan Nič paraqiti një analizë të DGAP-it me përfundime shqetësuese, ku thuhet se Serbia po shndërrohet nga faktor stabiliteti në faktor destabiliteti në rajon, dhe se presidenti Vuçiq “nuk është në gjendje të zgjidhë problemet e vendit apo të ofrojë lëshime politike ndaj lëvizjes popullore që proteston kundër qeverisë aktuale.”
Ai i bëri thirrje qeverisë gjermane që të ndërmarrë një rol më aktiv në trajtimin e krizës politike në Serbi.
“Qeveria federale duhet të deklarohet qartë. Deri tani nuk ka pasur një qëndrim të prerë. Ministri i jashtëm apo përfaqësues të CDU-së, që është pjesë e partive popullore evropiane ku janë edhe ‘naprednjakët’ (partia e Vuçiqit), duhet të luajnë një rol më të madh,” tha Nič.
Edhe përfaqësuesi i Partisë së Gjelbër gjermane, Manuel Sarrazin, ish-emisar për Ballkanin Perëndimor, e kritikoi situatën në Serbi dhe ndikimin e tepruar të Vuçiqit, duke thënë se “90% e vendimeve kalojnë nga zyra e Presidentit.” Sipas tij, presidenti serb tashmë është pozicionuar politikisht.
“Kam përshtypjen se Vuçiq tashmë ka zgjedhur anën e tij,” tha Sarrazin, duke përmendur vizitën e Vuçiqit në Moskë për Ditën e Fitores si sinjal të qartë të orientimit të tij.
Në diskutim morën pjesë edhe ekspertë nga Serbia, si Gazela Pudar Drashko dhe Rasha Nedeljkov, të cilët ndanë rezultatet e sondazheve mbi opinionin politik të të rinjve në Serbi. Pudar Drashko e vlerësoi interesimin e aktorëve ndërkombëtarë si një “injektion shprese” për qytetarët e Serbisë.
“Kjo tregon se lufta e tyre nuk është e padukshme dhe se kërkesa për drejtësi, institucione funksionale dhe sundim të ligjit shihet si pjesë e vlerave evropiane. Për ne, kjo është një inkurajim për të vazhduar luftën për ndryshime në Serbi,” tha ajo për DW.
(Kosova Sot Online)