
Kroacia do të ndajë 120 milionë euro për të forcuar kufijtë e saj

Për shkak të situatës komplekse të sigurisë në botë, Kroacia do të ndajë 120 milionë euro për të forcuar kufijtë e saj të jashtëm dhe të Shengenit, njoftoi sot qeveria e këtij vendi, një nga 27 anëtarët e Bashkimit Evropian, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
“Situata ndërkombëtare e sigurisë është shumë komplekse. Ne po punojmë për të forcuar kufijtë e jashtëm dhe të Shengenit, ushtrinë dhe policinë. Kohët e fundit morëm një vendim për të investuar 120 milionë euro për të rritur aftësitë teknike të kontrollit të kufirit të gjelbër”, tha Andrej Plenkovic, Kryeministri i Kroacisë, siç u publikua në profilin zyrtar të qeverisë në rrjetin social X.
Ai theksoi se Kroacia është e shqetësuar për zhvillimet globale.
“Ne po i ndjekim zhvillimet globale me shqetësim. Politika jonë ishte e tillë që numri i kalimeve të paligjshme të kufirit u ul deri në 56.6 përqind në vitin 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, tha Plenkovic.
(Kosova Sot Online)