
Kadrijaj: Me këtë Qeveri të drejtuar nga Kurti po i humbim aleatët kryesorë

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj ka akuzuar qeverinë në detyrë për prishje të marrëdhënieve me aleatët strategjikë të Kosovës dhe për neglizhencë ndaj paralajmërimeve të vazhdueshme, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
“Ne moti i kemi ngritur këto shqetësime, edhe pse Qeveria në detyrë moti është munduar t’i mohojë këto, se ka tendosje të raporteve mes Qeverisë së Kosovës dhe aleatëve tanë,” deklaroi Kadrijaj.
Ajo kujtoi se Kosova tashmë prej vitesh po përballet me pasoja konkrete si rezultat i këtyre përplasjeve me partnerët ndërkombëtarë.
“Ka vite që jemi të sanksionuar. Kemi humbur miliona euro për shkak të këtyre sanksioneve dhe përkundër kërkesave, nuk janë larguar sanksionet,” theksoi deputetja e AAK-së.
Sipas saj, humbja e besimit nga ana e aleatëve historikë të Kosovës është një nga dështimet më të mëdha të kësaj qeverie.
“Me këtë Qeveri po i humbim aleatët kryesorë, të cilët i kemi pasur aleatët më të mirë edhe gjatë luftës, edhe pas luftës, edhe në shpallje të pavarësisë dhe që kanë ndikuar në çdo njohje të Kosovës,” tha Kadrijaj.
Kadrijaj potencoi se këto mesazhe po tregojnë se aleatët tanë nuk po duan të bashkëpunojnë me Kurtin.
“Ata po japin mesazh të qartë se nuk duan të bashkëpunojnë me këtë Qeveri.”
(Kosova Sot Online)