Serbia me propagandë edhe në ShBA, tre kamionë bartin mesazhe kundër kryeministrit Albin Kurti

  • A.P /
  • 25 September 2025 - 13:00
Serbia me propagandë edhe në ShBA, tre kamionë bartin mesazhe kundër kryeministrit Albin Kurti

Në rrugët përreth selisë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, tre kamionë që bartin mesazhe kundër kryeministrit kosovar, Albin Kurti, janë parë duke lëvizur për të tërhequr “vëmendjen” e publikut për “gjendjen e vështirë” në të cilën jetojnë serbët në Kosovë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".



Kjo propagandë është inicuar nga diaspora serbe në Shtetet e Bashkuara, sipas shtypit në Serbi. Në tre kamionë janë ekspozuar fotografi që ata pretendojnë se dokumentojnë krime të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, krahas mesazheve që denoncojnë, sipas tyre, presionin ndaj serbëve nga “autoritetet në Prishtinë” që udhëhiqen nga Kurti.

Aksioni i diasporës së Serbisë vjen në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, një ngjarje që mbledh liderë botërorë, përfaqësues qeverish, diplomatë të lartë dhe drejtues të organizatave ndërkombëtare në Nju Jork.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryediplomatja në detyrë, Donika Gërvalla, janë duke marrë pjesë në aktivitete të ndryshme në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme së OKB-së. Gjithashtu, sipas raportimeve, drejt SHBA-së është nisur edhe Kurti, por Zyra e Kryeministrit ende nuk ka dhënë ndonjë konfirmim zyrtar.

(Kosova Sot Online)