Muhaxheri: Albin Kurti ka hequr dorë nga pretendimet për Çakorrin

  • A.P /
  • 30 September 2025 - 08:09
Muhaxheri: Albin Kurti ka hequr dorë nga pretendimet për Çakorrin

Kryetari aktual i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka deklaruar se nuk sheh ndonjë rrezikim serioz nga kundërshtarët e tij në garën për kryetar të kësaj komune, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ai kritikoi kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Taulant Kelmendin, duke e akuzuar se po tenton të përdorë kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, si garanci për fitore.

“Njeriu që nuk di të vlerësojë punën e tjetrit, nuk di as vetë të punojë. Për të ditur të punosh, duhet të dish të vlerësosh punën e dikujt tjetër. Disa nuk e vlerësojnë nga inati, të tjerë nuk e kuptojnë punën që është bërë”, tha Muhaxheri.

Ai shtoi se është qesharake që kryeministri të përfshihet në fushatë për të garantuar fitoren e një kandidati që, sipas tij, nuk ka bërë asgjë për Pejën. “Pas pesë vjetësh u kujtuan për rrugën Pejë–Kuqishtë–Çakorr dhe për hapjen e kufirit në Çakorr. Kandidati nuk ka bërë asnjë punë konkrete për komunën”, theksoi ai.

Sipas Muhaxherit, edhe vetë Albin Kurti ka hequr dorë nga pretendimet për Çakorrin: “Kryeministri e ka lëshuar flamurin dhe nuk po e kërkon më kthimin e Çakorrit”.


(Kosova Sot Online)