'Vuçiq kërkon aleatë në Rusi e Kinë, ndërsa fyen qytetarët evropianë'

  • A.P /
  • 30 September 2025 - 08:27
'Vuçiq kërkon aleatë në Rusi e Kinë, ndërsa fyen qytetarët evropianë'

Vula Ceci, kopreseduesja e partisë ‘Të Gjelbrit Evropianë’, deklaroi se nuk ka vend në Partinë Popullore Evropiane (EPP) për një pushtet dhe parti që sillet ndaj qytetarëve të vet siç sillet Partia Progresive Serbe (SNS). Ajo këtë e tha në N1, duke komentuar hetimin e brendshëm që EPP po zhvillon ndaj SNS, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

“Nëse demokristianët i qasen kësaj çështjeje me seriozitet, do të jetë vetëm çështje kohe derisa të arrijnë në përfundime të ngjashme me tonat. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë do të jetë çështje kredibiliteti – jo vetëm për demokristianët, por edhe për Bashkimin Evropian si tërësi”, tha Ceci.

Ajo shtoi se fakti që SNS është ende pjesë e EPP-së, ndonëse ka pasur manipulime zgjedhore, dhunë policore dhe shkelje të demokracisë, nuk mund të mbetet pa përgjigje.

“Mjafton të ndizni televizorin për dhjetë minuta për të parë çfarë po ndodh në Serbi. Nuk mund të mbyllim sytë përballë kësaj. Jo të gjithë në Komisionin Evropian ndajnë të njëjtin qëndrim, por është e qartë që komisionerja për zgjerim, Marta Kos, ka treguar ndjeshmëri ndaj asaj që po ndodh në Serbi”, theksoi ajo.

Ceci paralajmëroi se pushteti serb do të përballet me probleme serioze nëse nuk ndërmerren ndryshime konkrete. Ajo përmendi se hetimi i brendshëm në kuadër të EPP-së është vetëm “hapi i parë, por jo i mjaftueshëm” për të adresuar çështjet demokratike në Serbi.

“Situata në Serbi do të jetë në fokusin e vëzhgimit dhe nuk ka më hapësirë për relativizim. Qëndrimet janë bërë të qarta. Nëse nuk ndryshon situata, kjo qeveri do të ketë telashe serioze”, tha ajo.

Ceci e krahasoi këtë situatë me procesin e gjatë që iu desh EPP-së për t’i ndërprerë marrëdhëniet me Viktor Orbanin, duke sugjeruar se një skenar i ngjashëm është i mundshëm edhe për SNS.

Ceci foli edhe për pjesëmarrjen e saj dhe të kolegut të saj nga Të Gjelbrit në protestën në Novi Sad, ku u përballën me fyerje dhe një atmosferë kërcënuese, për të cilën ajo tha se ishte shokuese dhe ndriçoi realitetin në të cilin jetojnë qytetarët serbë çdo ditë.

“Presidenti Vuçiq sapo ishte kthyer nga Kina dhe Rusia, ku u takua me Xi Jinping dhe Vladimir Putin, ndërsa ne, si qytetarë të Evropës, u fyen publikisht. Ky është një kontrast që BE-ja nuk mund ta injorojë më”, deklaroi ajo.

Ajo shtoi se është e rëndësishme që Bashkimi Evropian të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme në Serbi, nëse ato mbahen në të ardhmen.

Ceci bëri të ditur se në tetor pritet të vijë një delegacion nga Austria dhe Bundestagu gjerman në Parlamentin e Serbisë, si dhe përfaqësues të tjerë të Parlamentit Evropian, me qëllim që të monitorojnë nga afër situatën politike dhe demokratike në vend.


(Kosova Sot Online)