
Prindërit dëbojnë nga shtëpia vajzën e tyre në Podujevë pasi e prishi fejesën

Një rast i rëndë dhune në familje është raportuar pasditen e 30 shtatorit në fshatin Gërdoc të Podujevës, ku një vajzë është dëbuar nga shtëpia nga vetë prindërit e saj, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Sipas të dhënave të para, rreth orës 17:30, J. A. rreth 58-vjeçar dhe bashkëshortja e tij M. A. rreth 57-vjeçare e kanë dëbuar vajzën e tyre, V. A rreth 27-vjeçare duke mos e lejuar të jetojë më me ta.
Njësia policore për dhunë në familje ka ndërhyrë menjëherë dhe viktima është dërguar fillimisht për trajtim mjekësor në urgjencën e qytetit, ndërsa më pas është intervistuar në prani të zyrtarit të Qendrës për Punë Sociale. Gjatë deklarimit, ajo ka treguar se ky nuk është rasti i parë që përballet me dhunë psikike dhe dëbim nga shtëpia nga ana e prindërve të saj. Ajo ka theksuar se arsyeja lidhet me faktin që ishte fejuar pa dëshirën e saj dhe pasi kishte prishur fejesën, prindërit e kishin dëbuar sërish.
Të dy prindërit janë intervistuar nga policia, ndërsa me urdhër të prokurores kujdestare, rasti është iniciuar si “dhunë në familje”. Të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa viktima, me vullnetin e saj, është dërguar në strehimore.
(Kosova Sot Online)