Osmani: Serbia ende s’ka marrë përgjegjësi për sulmin në Banjskë

  • A.P /
  • 02 October 2025 - 15:40
Osmani: Serbia ende s’ka marrë përgjegjësi për sulmin në Banjskë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, akuzoi jo vetëm Moskën, por edhe Serbinë që vepron me urdhra të Putinit për të destabilizuar jo vetëm Ballkanin Perëndimor, por gjithashtu edhe Europën, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Osmani përmendi edhe sulmin terrorist në Banjskë, për të cilin Serbia ende nuk ka marrë përgjegjësi, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Aktualisht ka dy kërcënime kryesore të sigurisë që vijnë kundër vendeve tona, që vijnë nga Rusia, padyshim. Kërcënimi tjetër, veçanërisht në rajonin tonë, vjen nga përfaqësuesi i Rusisë, zgjatimi i Rusisë në rajonin tonë, që është Serbia.

Sapo kemi shënuar dy vjet nga sulmi terrorist në Banjskë, akt i agresionit serb ndaj vendit tonë. Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që Serbia të marrë përgjegjësi, por kjo nuk ka ndodhur ende. Vuçiqi po tenton ta kopjojë Putinin duke përdorur agresionin dhe destabilizimin kundrejt fqinjëve. Është e rëndësishme për vendet e Bashkimit Evropian që ta kuptojnë shpërblimi i Serbisë pse qëndron pranë Rusisë, nuk është rruga e duhur.

Osmani ka folur edhe për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE. Ajo ka thënë se Kosova do të punojë me shtetet anëtare drejt këtij qëllimi.

“Kjo është rruga e vetme për Kosovën. Për fat të keq për shkak të politikave të disa brendshme të disa shteteve anëtare, aplikimi ynë nuk është trajtuar ende, por durimi ynë nuk do të shteret. Do të punojmë shumë që të bindim shtetet anëtare se Kosova është shtet demokratike, me sundim të ligjit dhe që iu kontribuon vlerave evropiane.”, tha Osmani para gazetarëve.

(Kosova Sot Online)