Administrata e Trump tërhoqi nominimin e Mark Brnovichit për ambasador në Serbi

  • A.P /
  • 04 October 2025 - 16:07
Administrata e Trump tërhoqi nominimin e Mark Brnovichit për ambasador në Serbi

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump tërhoqi nominimin e Mark Brnovichit për ambasador në Serbi, thuhet në një vendim të publikuar në faqen e Komisionit të Senatit Amerikan për Punë të Jashtme, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Arsyet për tërheqjen e nominimit të 58-vjeçarit nuk u përmendën.

Brnovich ka reaguar pas zhvillimeve të fundit duke akuzuar “deep state” (shtetin e thellë) se ishte kundër nominimit të tij, raporton nova.rs.

“Faleminderit presidentit (Donald Trump) për nominimin, por pasi procesi u zgjat, u bë e qartë se burokracitë e ‘deep state’ nuk duan që në Serbi të shërbejë dikush me prejardhje time politike, etnike dhe fetare. Mendoj se qëndrimi pranë familjes dhe miqve në Arizona dhe gjetja e mundësive për të luajtur një rol më të madh në skenën politike lokale është rruga më e mirë në këtë moment”, tha ai.

Edhe pse nominimi shkoi shpejt në Komisionin e Senatit për Punë të Jashtme, ai nuk u paraqit para këtij organi që konfirmon emërimet.

Kujtojmë se Trump në fund të muajit mars e kishte nominuar anëtarin e Partisë Republikane dhe ish-prokurorin shtetëror në Arizona, për ambasador në Beograd.

SHBA nuk kanë ambasador në Beograd që nga muaji janar i këtij viti, kur këtë pozitë e la Christopher Hill, pas rikthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë

(Kosova Sot Online)