
NATO: Çdo aktivitet ajror nga Kosova duhet të koordinohet me KFOR-in

Është thelbësore që çdo aktivitet në hapësirën ajrore të Kosovës të bëhet në bashkërendim të duhur me misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, për t’i parandaluar tensionet dhe për të garantuar siguri, tha një zyrtar i aleancës ushtarake perëndimore, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Autoritetet kosovare njoftuan më 8 tetor se pranuan “mijëra” dronë luftarakë nga Turqia, duke nxitur reagime të ashpra nga fqinji verior, Serbia.
Zyrtari i NATO-s e vlerësoi Turqinë si kontribuuese të kamotshme në misionin e udhëhequr nga ajo në Kosovë, KFOR, dhe në stabilitetin rajonal.
“KFOR-i mbikëqyr rregullisht hapësirën ajrore të Kosovës, duke i përdorur të gjitha mjetet dhe burimet që ka në dispozicion, në përputhje me autoritetin dhe mandatin e saj ekzistues, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999”, tha zyrtari i NATO-s.
Ai theksoi se KFOR-i mbetet i përfshirë “ngushtë në këtë çështje të rëndësishme dhe është në kontakt të ngushtë me organizatat e sigurisë së Kosovës dhe me forcat e armatosura të Serbisë, për këtë qëllim”.
KFOR-i, gjithashtu, është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX.
Misioni i NATO-s, veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
NATO-ja e shtoi praninë e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe, dhe tani ka 4.649 paqeruajtës nga 33 shtete.
(Kosova Sot Online)