Kurti kërkon hetime për kompanitë që sipas exit poll-eve të tyre ua huqën rezultatit në Mitrovicë

  • A.P /
  • 13 October 2025 - 11:06
Kurti kërkon hetime për kompanitë që sipas exit poll-eve të tyre ua huqën rezultatit në Mitrovicë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka kërkuar hetime për kompanitë që, sipas exit poll-eve të tyre, ua huqën rezultatit të zgjedhjeve të djeshme lokale në Mitrovicë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ndërsa i ftoi organet e drejtësisë dhe sigurisë që “të merren me këtë çështje, tha se “nuk bëhet fjalë vetëm për një huqje”.

“Ajo çka ndodhi më 12 tetor rreth raportimeve për Mitrovicën, duhet hetuar e hulumtuar. Nuk bëhet fjalë vetëm për një huqje, por për një inxhiniering të paramenduar për ndërhyrje flagrante në procesin zgjedhor. Exit poll-et e prezantuara gabimisht, me 16 pikë të përqindjes dallim e më tepër se aq nga më shumë se një organizatë dhe për të njëjtën komunë, dhe postimi i lajmeve të rreme se kush ishte fituesi ende pa u mbyllur vendvotimet, nuk janë thjesht një huqje”, tha ai.

Kurti tha se ato huqje kanë “cenuar” zgjedhjet e lira dhe integritetin e sigurinë e shtetit.

“Kjo është cenim i demokracisë, i zgjedhjeve të lira dhe i integritetit dhe i sigurisë së shtetit tonë. I ftoj organet e drejtësisë dhe sigurisë që të merren me këtë çështje”, tha ai.

(Kosova Sot Online)