
Balje: Nuk bëj pazare politike për mbështetjen ndaj Qeverisë së re

Deputetja Duda Balje, ka deklaruar se ende nuk është kontaktuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, për ndonjë takim lidhur me formimin e qeverisë së re.
Ajo ka theksuar se qëndrimi i saj mbetet i pandryshuar dhe se e vetmja kërkesë është formimi i Komunës së Boshnjakëve.
“Jo hala nuk më kanë kontaktuar askush. Kërkesën e njëjtë e kam, kurrgja s’kam ndryshu, qysh ka qenë në takimin e parë, kështu ka me qenë edhe tash. Nuk besoj që kam me ndërru ndonjë qëndrim edhe ata e dinë shumë mirë”, ka deklaruar Balje.
Deputetja ka treguar se është befasuar kur ka dëgjuar se zv.kryeministrja Emilia Rexhepi ka biseduar me Kurtin për nisjen e procedurave për formimin e komunës së Boshnjakëve.
“Dy ditë para zgjedhjeve kam dëgju se zv.kryeministrja Emilia Rexhepi ka folë me kryeministrin Kurti se është tani gati të fillojë procedurat për Komunën e Boshnjakëve. Kur e kam dëgjuar këtë jam befasur, sepse kur kam folë me kryeministrin ka qenë shumë kundër,” ka shtuar ajo.
Balje ka nënvizuar se nuk është e gatshme të bëjë pazare politike për mbështetje ndaj Qeverisë së re.
“Unë nuk du me bo pazare, nuk jam për kurgjo, vetëm për formimin e komunës së Boshnjakëve,” ka theksuar deputetja boshnjake.
(Kosova Sot Online)