
Kurti në Londër iu flet mërgimtarëve për progresin në Kosovë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po qëndron në Mbretërinë e Bashkuar për të marrë pjesë në samitin e Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet nesër në Londër, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Zyra e Kryeministrit paralajmëroi se gjatë qëndrimit në Londër, Kurti do të ketë edhe takime bilaterale, si dhe do të marrë pjesë në ngjarjet e organizuara në kuadër të samitit.
Ai sot lajmëroi se ka takuar diasporën atje, për të cilën tha se “na përfaqësojnë denjësisht”.
“Sa herë e takoj diasporën tonë, bashkëbisedimin e kemi të hapur e produktiv, ku vërehet lehtësisht se fizikisht janë larg atdheut, por me mendje dhe zemër qëndrojnë pranë nesh. Kësaj radhe, takimin me mërgimtarët e patëm mbrëmë në Mbretërinë e Bashkuar, në Londër, atje ku të mërkurën do të mbahen punimet e Samitit të radhës të Procesit të Berlinit. Mërgimtarët tanë na përfaqësojnë denjësisht anekënd botës. Bashkë diskutuam për partneritetin Kosovë-Mbretëri e Bashkuar, fuqizimin e lidhjeve mes dy shteteve dhe diasporën si urë që e forcon këtë marrëdhënie”.
Kurti tha se nuk la pa iu folur edhe për “arritjet” e “sukseset” e qeverisë së tij, ndërsa tha se iu foli edhe për “objektivat” e “mandatit të ardhshëm”.
“Nuk munguan as bisedat mbi zhvillimin dhe progresin e Kosovës, teksa i informova për arritjet e sukseset e qeverisë sonë dhe objektivat për mandatin tonë të ardhshëm”.
(Kosova Sot Online)