
QKUK ka ngelur sot pa rrymë

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) është përballur sot me mungesë të energjisë elektrike, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Lajmin e ka bërë të ditur Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), i cili ka sqaruar se pas ndërprerjes janë ndërmarrë menjëherë të gjitha veprimet e nevojshme për të garantuar vazhdimësinë e shërbimeve.
“Qendra Klinike Universitare e Kosovës njofton se sot, rreth orës 11:50, ka ndodhur një ndërprerje e paplanifikuar e furnizimit me energji elektrike. Sipas informacioneve nga KEDS, bëhet fjalë për një defekt jashtë hapësirave të QKUK-së”, thuhet në njoftim.
“Menjëherë pas ndërprerjes, gjeneratorët në të gjitha klinikat me ndjeshmëri të lartë u aktivizuan automatikisht, duke bërë që puna dhe ofrimi i shërbimeve të mos ndërpriten asnjë moment”, ka sqaruar ShSKUK-ja.
Ky institucion theksoi se situata në QKUK është nën kontroll dhe se të gjitha shërbimet esenciale po ofrohen normalisht.
“Përjashtim bëjnë vetëm ambulancat specialistike, ku për shkak të mungesës së energjisë elektrike nuk funksionon sistemi elektronik”, përfundon njoftimi.
(Kosova Sot Online)