
Kurti: Zgjedhjet e reja mbesin alternativë pasi partitë e ish-opozitës nuk po kanë vullnet

Të dielën përfundon afati se kur Lëvizja Vetëvendosje mund ta formojë qeverinë e re, me liderin e saj Albin Kurti, si kryeministër. Megjithatë, vetë Kurti, nuk është shprehur i bindur se një gjë e tillë mund të arrihet, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Ai ka thënë ‘’nuk është kollaj’’, pasi që, siç ka vlerësuar kryetari i VV-së, atmosfera në vend ka shumë ‘’xhelozi e inati’’.
Kurti ka deklaruar edhe se, zgjedhjet e reja mbesin alternativë, duke shtuar se, sipas tij, as partitë e ish-opozitës nuk po kanë ‘’vullnet dhe as synim për qeveri të tyre alternative’’.
“Do të përpiqemi maksimalisht që deri në dielën më së larg, po të hënën s’mundemi me u përgatit. Për arsye se të hënën ose e kemi bë qeverinë ose jo. Prandaj në këto ditët e mbetura, jemi duke komuniku, jemi duke bisedu. Nuk është kollaj, se, s’di si me ua shpjegu, ndoshta e keni ndëgju edhe ju vet, është intoksu atmosfera shumë, ka shumë xhelozi e inati e cinizëm shumë më shumë se ide, punë e pasion. Por, jemi ku jemi këtu dhe do të përpiqemi ta bëjmë qeverinë. Përndryshe, siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë. Ose do ta bëjmë ne qeverinë, ose shkojmë në zgjedhje prapë. Nuk po duket që opozita ka vullnet dhe as synim për qeveri të tyre alternative”, ka deklaruar Kurti.