
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë janë anuluar seancat gjyqësore

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë janë anuluar seancat gjyqësore në rastin Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi të planifikuara për javën e ardhshme, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Kjo është bërë e ditur në një njoftim të lëshuar nga vetë Dhomat e Specializuara të Kosovës.
“Ju informojmë se janë anuluar seancat e planifikuara në çështjen Thaçi dhe të tjerët për javën e ardhshme (27–30 tetor). Gjykimi pritet të rinis më 3 nëntor 2025, me seanca shtesë të caktuara për 17–20 nëntor 2025, ashtu siç shihet në kalendarin e gjykatës”, thuhet në njoftim.
Mbrojtja e Hashim Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq ka njoftuar se nuk do të mbështetet në dëshminë e tre dëshmitarëve të saj në rastin në të cilin Thaçit akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.
Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.
Më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Covey e përfundoi dëshminë më 2 tetor.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
(Kosova Sot Online)