Picula: Vuçiq mban përgjegjësinë kryesore për gjendjen në Serbi

  • A.P /
  • 23 October 2025 - 08:05
Picula: Vuçiq mban përgjegjësinë kryesore për gjendjen në Serbi

I dërguari i posaçëm i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, ka deklaruar se përfaqësuesve të grupeve parlamentare iu deshën vetëm “dy orë për të gjetur gjuhën e përbashkët” gjatë punës në Rezolutën për Serbinë, e cila është vlerësuar si më e ashpra deri më tani ndaj regjimit në Beograd, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Duke komentuar incidentin e armatosur në të ashtuquajturin “Çacilend”, para Kuvendit të Serbisë, Picula tha se në një ambient të mbushur me përkrahës të Vuçiqit, dhuna ishte “e pashmangshme”.

“Më duket se ajo hapësirë është e populluar nga përkrahës të Vuçiqit dhe përfaqëson fotografinë e Serbisë së tij. Dhuna ishte e pashmangshme, sepse ata janë aty për të ndërhyrë kundër kujtdo që është kundër regjimit. Ajo hapësirë duhet t’u kthehet të gjithë qytetarëve,” deklaroi Picula për televizionin N1.

Ngjarjet në “Çacilend” shpërthyen të mërkurën në mëngjes, kur disa tenda morën flakë para Kuvendit të Serbisë. Në video-regjistrimet që qarkulluan në publik u dëgjuan të shtëna armësh, një person u plagos dhe një tjetër u arrestua. Presidenti Aleksandar Vuçiq më vonë bëri publik emrin e të dyshuarit – një pensionist 70-vjeçar, ish-punonjës i shërbimit të sigurisë (DB).

Parlamenti Evropian miratoi Rezolutën për Serbinë me 457 vota pro dhe 103 kundër, në të cilën theksohet polarizimi dhe represioni në rritje në vend. Picula tha se dokumenti pasqyron gjendjen reale në Serbi dhe se përgjegjësinë kryesore për situatën e mban pushteti.

“Pushteti është gjithmonë më përgjegjës për gjendjen në një vend, qoftë ajo pozitive apo negative. Në këtë rast, kemi shumë elemente negative, ndaj presim nga qeveria t’i ndryshojë. Por shohim edhe forca që dëshirojnë ndryshime,” theksoi eurodeputeti.

Ai shtoi se dyfytyrësia politike e Vuçiqit – që njëkohësisht flet për integrimin në BE, ndërsa eurodeputetët i quan “plehra” – është e paqëndrueshme.

“Kjo është një situatë shizofrenike që zgjat prej shumë kohësh. Nuk mund të ekzistojnë dy narrativa. Njëri që flet për BE-në si synim strategjik, dhe tjetri që e sulmon BE-në. Kjo strategji mund të shërbejë përkohësisht, por në plan afatgjatë e vë në pikëpyetje vetë objektivin – anëtarësimin në BE,” u shpreh Picula.

Picula theksoi se Rezoluta nuk është sulm ndaj Serbisë si shtet, por kritikë ndaj sjelljes së pushtetit aktual.

“Kjo nuk duhet parë si sulm ndaj Serbisë. Është kritikë ndaj qeverisjes. BE-ja nuk i ka mbyllur kurrë dyert Serbisë, por ka të drejtë të flasë hapur për ato gjëra që duhen ndryshuar. Çdo interpretim tjetër është falsifikim,” tha ai.


(Kosova Sot Online)