Tahiri e nxjerr zbuluar Abdixhikun: Jo tradhti, por marrëveshje me dijeni të plotë!

  • A.P /
  • 25 October 2025 - 10:45
Tahiri e nxjerr zbuluar Abdixhikun: Jo tradhti, por marrëveshje me dijeni të plotë!

Xhafer Tahiri, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, është kundërpërgjigjur ashpër ndaj deklaratave të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili mbrëmë e quajti atë “qyqan”, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Tahiri thotë se Abdixhiku jo vetëm që ka qenë i informuar për koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje në këtë komunë, por sipas tij, kishte kërkuar edhe ndërmjetësim për një marrëveshje politike në Suharekë.

Sipas Tahirit, Abdixhiku ishte njoftuar paraprakisht për ofertën e Vetëvendosjes në Vushtrri dhe kishte kërkuar vlerësim për potencialin e fitores.

“Abdixhiku më ka pyetur nëse kemi ofertë për Vushtrrinë. I kam treguar se kemi ofertë nga VV-ja dhe më ka thënë: ‘A mundeni me fitu?’. Ia kam shpjeguar se me numra kemi qenë rreth 1 mijë vota para, dhe me Nismën rreth 2 mijë. I kam thënë se marrëveshja është e qëndrueshme dhe se në fakt po ndërrojmë rolet me VV-në, si në vitin 2017 kur na kanë mbështetur”, ka deklaruar Tahiri.

Ai ka mohuar se ka vepruar i vetëm apo në kundërshtim me qëndrimet e partisë.

Tahiri më pas e ka akuzuar Abdixhikun se i kishte kërkuar që të bisedonte me Vetëvendosjen edhe për një komunë tjetër.

“Më ka thënë: ‘A mundesh me fol edhe për një qytet tjetër, për Suharekën?’. Mandej kam takuar Kurtin në orën 19:00 të së shtunës. I kam thënë hapur se jam LDK dhe nuk jam VV, dhe kam kërkuar vetëm realizimin e marrëveshjeve tona. Për këtë kërkesë, e kam njoftuar menjëherë Abdixhikun dhe Ardian Shalën”, ka shtuar Tahiri.

Tahiri ka theksuar se nuk ka pasur asnjë marrëveshje me PDK-në dhe se çdo veprim ka qenë i koordinuar me degën e LDK-së në Vushtrri.

LDK, deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk ka dhënë një reagim të ri pas deklaratave të Tahirit.

(Kosova Sot Online)