Kurti: Nëse s’votohet qeveria e re, qeveri do të ketë, por s’mund ta mbikëqyrni
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se “qeveri do të ketë”, edhe nëse qeveria e re që pritet ta prezantojë pas pak, nuk do t’i marrë 61 votat e nevojshme në Kuvned, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Ai iu tha deputetëve se qeverinë në detyrë s’mund ta mbikëqyrin dhe s’mund t’i kërkojnë llogari.
“Për më tepër, përderisa nuk votohet qeveria e re, kjo nënkupton zgjatje e mandatit të qeverisë në detyrë. Pra, qeveri do të ketë, vetëm se deputetët e kanë të pamundur ta mbikëqyrin dhe të kërkojnë llogari nga një qeveri në detyrë, të cilën nuk e kanë votuar”, tha ai.
Çdo ditë pa qeveri të re, Kurti tha se është “ditë humbjeje për zhvillimin, për qytetarin, për shtetin”, ndërsa, pa ndonjë marrëveshje të përmendur, i ftoi deputetët që ta votojnë qeverinë që do ta prezantojë ai.
Ai përmendi “punë e mira” që tha se i ka bërë qeveria e udhëhequr prej tij, ndërsa u kërkoi deputetëve që t’ua mundësojnë që t’i “vazhdojnë punët e mira”.
(Kosova Sot Online)
