Peci bën thirrje për dënim me burgim ndaj gazetarëve: Minimalisht tre vjet

  • A.P /
  • 30 October 2025 - 09:15
Peci bën thirrje për dënim me burgim ndaj gazetarëve: Minimalisht tre vjet

Kandidati për kryetar të Komunës së Mitrovicës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, ka kërkuar dënim me burgim nga 3 deri në 5 vite për gazetarët, të cilët sipas tij në ditën e zgjedhjeve kanë devijuar dhe imponuar vullnetin e qytetarëve për votim.

Një ditë pas shkrimit skandaloz për të cilin ka reaguar edhe Asosacioni i Gazetarëve të Kosovës, Peci ka vazhduar fushatën e tij linçuese kundër gazetarëve kosovarë.

Ish-ministri i Bujqësisë i ka cilësuar si kriminelë gazetarët.

Ai ka hedhur dyshime se disa gazetarë janë të përfshirë në një skemë kriminale – të orkestruar e organizuar qysh tash e një vit.

“Pjesa e sulmeve të orkestruara që ka kulmuar me një organizim kriminal, është organizim kriminal mos harroni, me organizu EXIT-POLL, me bë një fushatë sistematike të linçimit publik dhe ajo me qenë sistematike dhe prej të gjitha shkrimeve dhe goditjeve qoftë përmes debateve ose shkrimeve të rrejshme e shpifje. Ka një analizë prej Lëvizjes Vetëvendosje se prej të gjithë kandidatëve në nivel vendi nga të gjitha partitë politike, 70 për qind e shkrimeve negative janë kundër meje, ndërsa unë jam opozita në Mitrovicë. Si  është e mundur që një kandidati në opozitë me iu organizu një fushatë kaq e ashpër e linçimit deri në nivel të organizmit kriminal.

Ata të cilat në ora 9 të mëngjesit kanë marrë rezultate e EXIT POLL dhe i kanë pasqyruar gjatë gjithë ditës dhe e kanë denigruar mbiemrin Peci, edhe kanë thënë që po pëson fiasko e po humb me 30-70% në zona të caktuara të Mitrovicës, e që atë e kanë nda me aktivistë të VV-së duke i thirrur me numra ‘No Name’, e duke bërë publike se gara përfundoi, e duke i nxjerrë këto informacione të paqena e të inskenuara përmes të ashtuquajturve gazetarë, e që unë mendoj se disa prej tyre janë kriminelë, nuk janë gazetarë disa prej tyre, janë kriminelë. Ata të cilët dalin ditën e zgjedhjeve dhe e thyejnë heshtjen zgjedhore, me pas rend dhe funksion të organeve të drejtësisë ata marrin minimalisht 3 deri në 5 vite burgim, për shkak se është devijim i vullnetit, është imponim i vullnetit, është dekurajim i përkrahësve për çka kanë konsumuar vepra penale”, ka deklaruar Peci në Tëvë 1 të mërkurën.

Peci ka përmendur me emra dhe mbiemra gazetarët për të cilët ka thënë se është duke përgatitur kallëzim penal.

Përpos gazetarëve, Peci ka bërë të ditur se do të padisë edhe pronarin e Radio Televizionit Dukagjini, për shkak se sipas tij për rreth një 1 vit ai ka qenë fajtor i organizimit të skemës kriminale.

“Ne jemi në fazën finale të deponimit të kallëzimeve penale ndaj gjithë skemës kriminale nga Ermal Panduri, Lirmi Mehmetaj, Berat Buzhala, Baton Haxhiu, Adriatik Kelmendi e shumë të tjerë. Të gjitha këto janë të faktuara, disa prej tyre edhe i kanë fshi postimet më pas sikurse Valon Syla. Të gjitha faktet dhe ndikimin që ata e kanë ushtruar i kam me fakte. Nuk kanë lënë gjë pa bë për me më denigru, sidomos ditën kur ka qenë heshtja zgjedhore ata kanë qenë agresiv. E gjitha ka filluar me Baton Haxhiun në një emision i cili ka deklaruar se do të ketë befasi në Mitrovicë, e më pas ka vazhduar skma kriminale nga Dukagjini. Unë do të bëj padi dhe kallëzim penal ndaj Ekrem Llukës (pronari i RTV Dukagjini) dhe Televizionit Dukagjini, për të gjithë skemën kriminale për një vit, e që ka kulmuar në ditën e zgjedhjeve”, ka përfunduar Peci.

(Kosova Sot Online)