Kurti takohet me Presidentin e Dhomës së Përfaqësuesve të Belgjikës
Gjatë qëndrimit në Paris, në kuadër të Forumit të Paqes, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, zhvilloi një takim bilateral me presidentin e Dhomës së Përfaqësuesve të Belgjikës, Peter De Roover, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Zyra e Kryeministrit tha se në takim u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës, bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët dhe zhvillimet e fundit në vend e rajon.
ZKM tha se Kurti i ka folur atij për “rritjen ekonomike” në vend e investimet në disa fusha.
“Kryeministri Kurti e njoftoi Presidentin De Roover për rezultatet e Kosovës në rrafshin ekonomik, ndër to rritjen e qëndrueshme ekonomike prej mesatarisht 6% në katër vitet e fundit dhe dyfishimin e investimeve të huaja direkte, kushtet e volitshme dhe përparësitë që vendi ynë ofron për investime të huaja. Ai veçoi investimet e rëndësishme që ka bërë qeveria në sektorin e bujqësisë dhe të mbrojtjes, si dhe reformat e ndërmarra në politikat e mirëqenies sociale”.
Gjithashtu, ZKM tha se ata diskutuan për rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Europian.
“Kryeministri Kurti përmendi rëndësinë dhe efektin pozitiv që ka pasur liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, dhe aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor të vitit 2022 si hap të rëndësishëm që dëshmon përkushtimin e institucioneve të vendit ndaj reformave demokratike dhe integrimit evropian”.
(Kosova Sot Online)
