Orav: Elita politike të bashkohet dhe të formojë një shumicë të fortë në Kuvend
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka mbajtur konferencë të përbashkët me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, pas publikimit të Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Gjatë konferencës, Orav ka thënë elita politike duhet të bashkohet dhe të formojë një shumicë të fortë në Kuvend, për të siguruar ratifikimin e marrëveshjeve të Planit të Rritjes dhe për të avancuar me dialogun, sepse pa këtë vendi do të humbasë shumë mundësi.
Ai tha se kjo është një kohë vendimtare për Kosovën, Ballkanin Perëndimor dhe BE’në, teksa ka theksuar ndikimin e ngërçit në procesin e integrimit.
Orav theksoi se për të ndihmuar progresin e Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së, kanë nevojë për institucione funksionale. Ai deklaroi se BE-ja është gati t’i afrojë edhe më shumë partnerët me aspirata evropiane.
Shtoi se përputhja vullnetare e Kosovës me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së vlerësohet shumë.
(Kosova Sot Online)
